Diplomati Flamur Gashi ka përshëndetur iniciativën e deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi për paraqitjen e Propozim-Rezolutës mbi Masakrën e Tivarit dhe krimet e tjera të kryera ndaj shqiptarëve.
Në një reagim, Gashi e ka cilësuar këtë nismë si një hap me rëndësi të veçantë kombëtare dhe historike, duke vlerësuar angazhimin e deputetëve Nikollë Camaj, Artan Çobi, Ilir Capuni dhe Meto Zenka.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta çojnë përpara këtë iniciativë deri në fund, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të ngjarjeve të vitit 1945.
“Masakra e Tivarit, në mars–prill 1945, mbetet një prej tragjedive më të rënda të historisë sonë kombëtare”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, mijëra shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të mobilizuar dhe të dërguar drejt Tivarit, përjetuan një marshim tragjik nëpër itinerarin Prizren–Kukës–Shkodër–Tivar, gjatë të cilit pati dhunë, keqtrajtime dhe vrasje.
Gashi ka theksuar se më 1 prill 1945, në Tivar, forcat komuniste jugosllave kryen një masakër ndaj shqiptarëve të paarmatosur.
Duke iu referuar përllogaritjeve historike, ai ka përmendur shifra prej 2.947 deri në 3.447 viktimash, ndërsa ka theksuar se studiues të ndryshëm kanë paraqitur edhe shifra më të larta.
Sipas tij, numri i saktë i viktimave dhe fati i shumë personave të zhdukur mbeten ende për t’u dokumentuar plotësisht.
Diplomati ka vlerësuar se për dekada, heshtja e regjimeve komuniste jugosllave dhe shqiptare ka rënduar mbi këtë tragjedi, duke lënë familjet e viktimave pa përgjigje dhe pa drejtësi.
Ai ka kërkuar që të ndriçohen krimet e forcave komuniste jugosllave, roli dhe përgjegjësitë e autoriteteve komuniste shqiptare, si dhe fati i shqiptarëve të vrarë e të zhdukur.
“Kujtesa kombëtare nuk mund të ndërtohet mbi heshtjen, as e vërteta historike të mbetet peng i interesave politike dhe ideologjike”, ka theksuar Gashi.
Ai ka shprehur shpresën që iniciativa të marrë mbështetje të gjerë në Parlamentin e Malit të Zi, përtej dallimeve politike e partiake, duke hapur rrugën për njohjen institucionale, dokumentimin e plotë dhe përkujtimin dinjitoz të viktimave.
Në fund, Gashi ka theksuar se zbardhja e Masakrës së Tivarit nuk përbën thirrje për urrejtje ndaj popujve të tjerë, por kërkesë për të vërtetën, drejtësinë historike dhe dinjitetin e viktimave.