Pesë ditë në Izrael

Pesë ditë në Izrael

Written by

in

Pesë ditë në Izrael

Me ftesë të Ministrisë së Jashtme të Izraelit dhe me mbështetjen e Qendrës për Ndikimin Hebraik (Center for Jewish Impact – CJI), nga data 11 deri më 16 tetor 2026 pata nderin të qëndroja për një vizitë studimore në Izrael, si pjesë e një delegacioni të gjerë të përbërë nga përfaqësues të vendeve ish-komuniste, përfshirë Kosovën. Vetë titulli i vizitës ishte Legal Delegation to Israel, sepse ajo përfshinte ekspertët më eminentë të vendeve ish-komuniste të Ballkanit dhe më gjerë.

Vizita ka qenë jashtëzakonisht intensive dhe informative, duke na mundësuar të shihnim nga afër ankthin nën të cilin jeton një popull që ka përjetuar Holokaustin dhe mënyrën se si efektet refleksive të kësaj tragjedie njerëzore formësojnë dhe përcaktojnë shumëçka në politikën e jashtme të këtij vendi mik të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi.

Dita e parë, e diel, 11 tetor 2026

Mirëseardhja dhe vendosja në hotelin Herbert Samuel në Jerusalem

Një grup juristësh eminentë nga Kosova dhe Shqipëria udhëtuam nga Aeroporti i Tiranës. Shqiptarët e tjerë nga Maqedonia e Veriut, së bashku me kolegët e tyre juristë maqedonas, i takuam në mbrëmje në Jerusalem.

Kjo ka qenë vizita ime e dytë në Izrael. Herën e parë pata pasur nderin të vizitoja Gjykatën Supreme të Izraelit dhe kryetaren e saj, Dorit Beinisch, në pranverë të vitit 2012. Ajo vizitë kishte përfshirë edhe takimin tim në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, ku kisha shkuar për të lobuar për njohjen e Kosovës nga Izraeli, i cili atëherë hezitonte shumë për ndërmarrjen e një hapi të tillë, për shkak të çështjes palestineze dhe shpalljes së shtetësisë palestineze. Për fatin e Kosovës, ndërkohë, Izraeli arriti disa marrëveshje me vendet myslimane në kuadër të të ashtuquajturave Abrahamic Accords dhe, me ndihmën personale të Presidentit Trump, erdhi njohja e Kosovës nga ky shtet me peshë në sigurinë dhe politikën globale.

Vizita ime në Izrael, më 2012, ka qenë vizita e parë zyrtare e një zyrtari të lartë të Kosovës.

Pas vendosjes në hotel, shkuam për darkë aty pranë, në një ambient jashtëzakonisht ekskluziv dhe elegant, jo vetëm sepse ishte i ndërtuar tërësisht nga guri izraelit me ngjyrë bezhë, siç është një pjesë e madhe e Jerusalemit, por edhe për shkak të shërbimit dhe llojit të ushqimit, që ishin tipikisht mesdhetarë. Përzgjedhja e vendit ishte bërë nga nikoqiri ynë, CJI, të cilit gjatë darkës ia shprehëm falënderimet tona më të sinqerta.

Vera që u shërbye ishte nga Kodrat e Judesë (Judean Hills), një rajon që shtrihet përreth Jerusalemit. Klima mesdhetare, lartësia prej 600–900 metrash dhe tokat gëlqerore krijojnë kushte të përshtatshme për prodhimin e verërave cilësore, traditë kjo e ruajtur dhe e kultivuar edhe nga kantina Domaine du Castel. Na u ofrua një verë që mund të krahasohej me verërat cilësore të Francës dhe Italisë.

Dita e dytë, e hënë, 12 tetor 2026

Vizita në Ministrinë e Drejtësisë

Kjo vizitë zgjati deri në drekë dhe kishte për objekt informimin tonë mbi aspektet juridike dhe të sigurisë në shtetin e Izraelit sot. Elad Vider na mbajti një ligjëratë të detajuar mbi pastrimin e parave dhe përdorimin e tyre për qëllime terroriste, duke na ofruar një pasqyrë jashtëzakonisht të dobishme, e cila mund të shërbejë edhe për vendet e Ballkanit dhe të Evropës ish-komuniste, duke marrë parasysh prirjet politike. Kosova, në veçanti, mund të mësojë nga përvojat izraelite, sepse veriu i saj, por edhe pjesë të tjera të vendit, mbeten të ekspozuara ndaj Serbisë dhe politikave të saj të inkurajimit të terrorizmit dhe të ekonomisë joformale për financimin e tij.

Pas kësaj ligjërate, patëm rastin të njiheshim me një qasje tjetër, të paraqitur nga Tal-Verner Kling, e cila veçoi sfidat juridike me të cilat ndeshet Izraeli gjatë luftimit të terrorizmit, pastrimit të parave dhe ekonomisë joformale në përgjithësi. Ajo që u veçua në këtë ligjëratë ishte ideja se, pavarësisht situatës së konfliktit të thellë të armatosur dhe fizik, shteti i Izraelit duhet të bëjë gjithçka që mundet për të ruajtur parametrat e sundimit të ligjit dhe të sigurisë juridike. Kjo ide duket si një punë sizifiane në një rajon ku është e vështirë të dallohet terroristi nga popullsia civile. Megjithatë, u theksua rëndësia jetike e përballjes me sfidat juridike sipas standardeve të sundimit të ligjit dhe të sigurisë juridike. I gjithë debati u zhvillua duke pasur parasysh sfidat juridike që u krijuan pas aktit makabër terrorist të Hamasit, më 7 tetor 2023.

Vizita në Jerusalem, e shoqëruar nga një guidë, ishte një kënaqësi e veçantë. Moti ishte i bukur dhe guida jonë shpjegonte gjithçka që duhej, duke filluar nga Kisha e Varrit të Shenjtë, Xhamia Al-Aksa, Kupola mbi Shkëmb, lagjja hebraike dhe ajo romake, deri te gjithçka tjetër që lidhet me zhvillimet qytetëruese të botës greko-romake dhe judeo-kristiane.

Vonë pasdite patëm nderin të dëgjonim sërish një analizë të marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me Gazën, të paraqitur nga z. Yoni Eshpar, drejtor i lartë për Evropën dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Me këtë e përmbyllëm programin e kësaj dite dhe u përgatitëm për darkën e radhës.

Dita e tretë, e martë, 13 tetor 2026

Vizita në Ministrinë e Jashtme

Deri në pauzën e kafesë, në Ministrinë e Jashtme patëm nderin të dëgjonim fjalën hyrëse të ambasadores Liat Wexelman, shefe e Divizionit Euroaziatik, e cila u pasua nga prezantimi i sfidave aktuale të Izraelit në marrëdhëniet ndërkombëtare, i bërë nga Tamar Kaplan, këshilltare ligjore.

Me rëndësi të madhe për Kosovën ishin edhe ligjëratat dhe diskutimet që pasuan rreth procedurave pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe organeve të tjera, të cilat janë duke u zhvilluar kundër shtetit të Izraelit. Kjo ligjëratë u mbajt nga Shannon Kisch, nga Departamenti i së Drejtës Ndërkombëtare i Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

Disa nga pjesëmarrësit shprehën dyshime të bazuara se mund të arrihet deri te një vendim gjyqësor që konstaton përgjegjësinë e shtetit të Izraelit për gjenocid, duke marrë parasysh faktin se, për krimin e gjenocidit, kërkohet një dolus specialis, i cili është vështirë të provohet dhe, në fakt, në kontekstin e konfliktit në Gaza, është tërësisht i pamundur. Si dëshmi për faktin se një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, u përmendën rastet e Bosnjë-Hercegovinës dhe të Kroacisë kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi). Ka pak gjasa që në rastin kundër Izraelit të përdoret një standard tjetër.

Pasdite, ligjëratat u përqendruan në zbatimin e së drejtës së konflikteve të armatosura në shtetin e Izraelit dhe në vendet përreth. Këtë ligjëratë e mbajti Nina Yaralova, nga Departamenti i së Drejtës Ndërkombëtare (International Law Department). Ajo u pasua nga diskutimi mbi aspektet juridike të luftës kundër Iranit, i udhëhequr nga Shahar Berger, po nga Departamenti i së Drejtës Ndërkombëtare.

Më pas vizituam Gjykatën Supreme të Izraelit, ku zhvilluam një takim me një gjyqtar të kësaj gjykate, të vetmin gjyqtar mysliman në përbërjen e saj. Fjala është për gjyqtarin me origjinë arabe palestineze, Khaled Kabub (Halid Kabub), i cili ka marrë pjesë në shqyrtimin e çështjeve të ndjeshme kushtetuese dhe politike. Para tij, gjyqtari i parë arab që u emërua në mënyrë të përhershme në këtë gjykatë ishte Salim Joubran (1947–2024), arab i krishterë, i cili shërbeu nga viti 2004 deri më 2017.

Pas vizitës në Gjykatën Supreme, u organizua një takim informues me profesoreshën Yifat Bitton, përfaqësuese e Projektit Dinah (The Dinah Project), gjatë të cilit u trajtuan krimet me bazë gjinore të kryera nga Hamasi. Në këtë takim u diskutuan aspektet faktike dhe juridike të këtyre krimeve, si dhe rëndësia e dokumentimit të tyre dhe e përgjegjësisë për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

Pas përfundimit të takimit, në orën 19:30, ishte paraparë akomodimi në hotelin Crowne Plaza në Tel Aviv. Më pas, në orën 20:00, programi vazhdonte me një darkë në restorantin Villa Mare, në shoqërinë e Robert Singer, kryetar i CJI-së.

Dita e katërt, e mërkurë, 14 tetor 2026

Vizita në vendet e tragjedisë së 7 tetorit 2023 dhe takimet me përfaqësues të institucioneve ushtarake izraelite

Një ndër ditët më mbresëlënëse dhe emocionalisht më të rënda të vizitës sonë në Izrael ishte ajo që iu kushtua njohjes nga afër me pasojat e sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023. Në orët e mëngjesit u nisëm nga Tel Avivi drejt jugut të Izraelit, në zonën kufitare me Rripin e Gazës, për të vizituar vendet ku kishin ndodhur disa nga tragjeditë më të rënda të asaj dite.

Ndalesa jonë e parë ishte në Re’im, në vendin ku ishte organizuar festivali muzikor Nova. Aty, mëngjesin e 7 tetorit 2023, qindra të rinj që kishin ardhur për të festuar, për të dëgjuar muzikë dhe për të kaluar çaste gëzimi, u gjendën papritur përballë një sulmi vdekjeprurës. Vizita në këtë vend ishte thellësisht prekëse. Në vend të muzikës dhe gëzimit që dikur e kishin mbushur atë hapësirë, tashmë mbizotëronte heshtja e një vendi përkujtimor, me fotografitë dhe emrat e të rinjve që kishin humbur jetën. Ishte e pamundur të qëndroje aty pa menduar për jetët e ndërprera, për ëndrrat që nuk u realizuan kurrë dhe për familjet që vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e humbjes së më të dashurve të tyre.

Veçanërisht tronditëse ishte dëshmia e njërit prej të mbijetuarve, i cili na rrëfeu përjetimet e tij gjatë sulmit dhe përpjekjet për t’i shpëtuar vdekjes. Dëgjimi i një dëshmie të tillë, pikërisht në vendin ku kishte ndodhur tragjedia, kishte një peshë krejt tjetër nga leximi i raporteve apo ndjekja e pamjeve televizive. Aty, tragjedia nuk ishte më vetëm një ngjarje historike, e përshkruar përmes statistikave dhe kronikave të lajmeve, por një përvojë e prekshme njerëzore. Ishte një nga ato çaste kur fjalët duken të pamjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe përmasat e humbjes.

Më pas vizituam kibucin Be’eri, një nga komunitetet më të goditura gjatë sulmit. Pamë shtëpitë e shkatërruara dhe u takuam me banorë që kishin mbijetuar, por që ishin detyruar të largoheshin nga vendbanimi i tyre. Rrëfimet e tyre për humbjen e familjarëve, të afërmve dhe fqinjëve, si dhe për përpjekjet për ta rindërtuar jetën, na lanë përshtypje të thella. Ajo që dikur kishte qenë një bashkësi e qetë banimi, ishte shndërruar në simbol të vuajtjes njerëzore dhe të pasojave shkatërrimtare të sulmeve kundër civilëve.

Përmasat e tragjedisë së 7 tetorit 2023 ishin jashtëzakonisht të rënda. Gjatë sulmit të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura palestineze u vranë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, ndërsa, sipas të dhënave të paraqitura nga Komisioni i Pavarur Hetimor i Kombeve të Bashkuara, 14.970 persona u regjistruan si të plagosur dhe u dërguan për trajtim spitalor. Gjithsej 251 persona u morën peng dhe u dërguan në Rripin e Gazës. Vetëm në festivalin Nova u vranë qindra pjesëmarrës. Çështja e pengjeve mbeti për më shumë se dy vjet një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë izraelite. Procesi i kthimit të tyre përfundoi më 26 janar 2026, me kthimin e mbetjeve mortore të pengut të fundit, Ran Gvili. Deri më 22 tetor 2026, asnjë nga pengjet e marra më 7 tetor 2023 nuk mbetej më në Gaza, ndonëse jo të gjithë ishin kthyer të gjallë.

Pas përfundimit të vizitave në zonën kufitare dhe drekës në restorantin Abu Bsarim, u kthyem në Tel Aviv, ku programi vazhdoi me takime të karakterit juridik dhe institucional. Nga ora 16:30 deri në orën 17:30, morëm pjesë në një takim me një përfaqësues të Divizionit të së Drejtës Ndërkombëtare, në kuadër të strukturës së Avokatit të Përgjithshëm Ushtarak të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Takimi iu kushtua organizimit të sistemit juridik ushtarak izraelit dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë operacioneve ushtarake. U trajtuan çështje që lidhen me detyrimet juridike të forcave të armatosura, mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e rregullave që përcaktojnë zhvillimin e luftimeve.

Në vijim, nga ora 17:30 deri në orën 18:45, zhvilluam një takim informues me përfaqësues të organit izraelit për Koordinimin e Aktiviteteve Qeveritare në Territore (Coordination of Government Activities in the Territories – COGAT), përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve qeveritare në territoret palestineze. Gjatë këtij takimi u njohëm me shpjegimet e përfaqësuesve izraelitë lidhur me organizimin, koordinimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare gjatë luftës, si dhe me sfidat administrative, logjistike dhe të sigurisë që, sipas tyre, kishin shoqëruar këto operacione. Programi i ditës përfundoi me një darkë në restorantin Melach-Yam, në Tel Aviv.

Kjo ditë e vizitës sonë në Izrael mbeti ndër më të veçantat, sepse bashkoi dy dimensione të ndryshme, por ngushtësisht të lidhura: tragjedinë njerëzore të luftës dhe përpjekjet për ta trajtuar atë përmes normave të së drejtës ndërkombëtare. Vizita në Nova dhe Be’eri na ballafaqoi drejtpërdrejt me vuajtjet e civilëve, ndërsa takimet e pasdites na dhanë mundësinë të njiheshim me qëndrimet dhe shpjegimet juridike e institucionale të autoriteteve ushtarake izraelite. Mbi të gjitha, ajo ditë na rikujtoi se pas çdo statistike të luftës qëndron një jetë njerëzore, një familje dhe një histori e ndërprerë. Pamjet e vendit përkujtimor në Nova, fotografitë e të rinjve të vrarë dhe dëshmia e të mbijetuarit do të mbeten gjatë në kujtesën tonë, si një kujtim i dhimbshëm i tragjedisë njerëzore dhe i domosdoshmërisë për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të njeriut.

Dita e pestë, e enjte, 15 tetor 2026

Vizita në veri të Izraelit: Siguria rajonale, bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve dhe përmbyllja e vizitës

Dita e fundit e vizitës sonë zyrtare në Izrael, më 15 tetor 2026, iu kushtua njohjes me sfidat e sigurisë në kufirin verior të vendit, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare, si dhe perspektivat e bashkëjetesës në një shoqëri me përbërje të ndërlikuar kulturore e historike. Pas mëngjesit, në orën 07:30, u nisëm nga Tel Avivi drejt Haifës dhe pjesës veriore të Izraelit, në një udhëtim që na mundësoi të njiheshim nga afër me një rajon me rëndësi të veçantë strategjike dhe gjeopolitike.

Takimi i parë u zhvillua në selinë e Qendrës për Kërkime dhe Edukim Alma (Alma Research and Education Center), ku u pritëm nga nënkolonelja në rezervë Sarit Zehavi, presidente dhe themeluese e kësaj qendre. Gjatë prezantimit të saj, u njohëm me vlerësimet strategjike të qendrës lidhur me situatën e sigurisë përgjatë kufirit ndërmjet Izraelit dhe Libanit, veçanërisht me sfidat që paraqesin aktivitetet e Hezbollahut dhe përplasjet ushtarake në këtë rajon. Diskutimi u përqendrua në rëndësinë strategjike të kufirit verior, kërcënimet ndaj popullsisë civile dhe ndikimin që zhvillimet në Liban kanë mbi sigurinë e Izraelit dhe stabilitetin rajonal. Për ne, ky takim përbënte një mundësi për t’u njohur drejtpërdrejt me perspektivën izraelite mbi një prej çështjeve më të ndërlikuara të sigurisë në Lindjen e Mesme.

Në vijim, vizituam pikën panoramike të malit Adir (Mount Adir Viewpoint), nga ku hapet një pamje e gjerë drejt territorit libanez dhe zonave përreth kufirit. Pozita gjeografike e këtij vendi na mundësoi të kuptonim më mirë rëndësinë strategjike të terrenit malor dhe afërsinë ndërmjet vendbanimeve civile dhe zonave të tensioneve ushtarake. Nga kjo pikë, kufiri nuk dukej thjesht si një vijë ndarëse ndërmjet dy shteteve, por si një hapësirë ku ndërthuren historia, rivalitetet politike dhe shqetësimet e përditshme të sigurisë. Vizita ishte domethënëse edhe për të kuptuar se sa drejtpërdrejt ndikojnë konfliktet rajonale në jetën e komuniteteve që banojnë përgjatë kufirit.

Një pjesë veçanërisht interesante e programit ishte vizita në Beit Moreshet, një shtëpi tradicionale e trashëgimisë kulturore drüze. Aty zhvilluam një diskutim me temën “Të jetuarit së bashku në Izrael: Mundësitë dhe sfidat”, të udhëhequr nga dr. Amal Amer, juriste, ndërmjetësuese, studiuese e arsimit dhe bashkëpunëtore e CJI-së.

Diskutimi iu kushtua marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Izrael, me theks të veçantë te komuniteti druz, identiteti i tij fetar dhe kulturor, si dhe përvoja e bashkëjetesës në një shoqëri me shumicë hebraike. U trajtuan çështje që lidhen me integrimin shoqëror, ruajtjen e identitetit kulturor, mundësitë e barabarta dhe sfidat që paraqet bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve me tradita, përkatësi dhe histori të ndryshme. Nga këndvështrimi juridik dhe shoqëror, diskutimi ishte me interes të veçantë, sepse prekte çështje themelore të mbrojtjes së pakicave, barazisë qytetare dhe raportit ndërmjet identitetit kombëtar dhe diversitetit kulturor.

Pas takimit, drekuam në restorantin Abu Anan, në lagjen drüze të Hurfeishit. Ky ishte një rast për t’u njohur edhe me traditën e mikpritjes dhe kulturën gastronomike të komunitetit druz. Në orët e pasdites u nisëm drejt Tel Avivit, duke përmbyllur kështu vizitat në terren dhe takimet profesionale që kishin qenë pjesë e programit tonë disaditor në Izrael.

Në mbrëmje, në orën 19:30, u organizua darka përmbyllëse e delegacionit, gjatë së cilës patëm mundësinë të shkëmbenim përshtypjet dhe reflektimet tona mbi vizitën. Me këtë rast, Robert Singer, kryetar i CJI-së, mbajti fjalën përmbyllëse. Ishte një mundësi për të reflektuar mbi takimet me përfaqësuesit e institucioneve izraelite, diskutimet me ekspertë të së drejtës dhe të sigurisë, si dhe përvojat njerëzore të krijuara gjatë vizitave në komunitetet e prekura nga sulmi i 7 tetorit 2023.

Vizita në Izrael na mundësoi të njiheshim nga afër me një realitet politik, shoqëror dhe të sigurisë që shpesh perceptohet vetëm përmes zhvillimeve ndërkombëtare dhe raportimeve mediatike. Nga Jerusalemi dhe Tel Avivi deri te vendet e tragjedisë së 7 tetorit dhe kufiri me Libanin, patëm rastin të shihnim dimensione të ndryshme të historisë, sigurisë dhe jetës së përditshme të këtij vendi. Takimet institucionale dhe diskutimet profesionale na dhanë njohuri mbi qëndrimet izraelite për çështje të rëndësishme rajonale, ndërsa kontaktet me komunitetet vendore na ndihmuan të kuptonim më mirë kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore dhe shoqërore.

Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali