Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të pesë kadetëve të Kosovës, të cilët kanë përfunduar studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë.
Ceremonia është mbajtur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, ku morën pjesë edhe përfaqësues ushtarakë të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Gjermanisë.
“Urime Xheto Kelmendit për diplomimin në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nikës në logjistikë, Gentrit Azemit në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmanit dhe Betim Elshanit në polici ushtarake. Pas diplomimit, ata do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës dhe do t’i shërbejnë vendit me njohuritë e përgatitjen e fituar”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri ka bërë të ditur se deri më tani 18 kadetë kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake të Gjermanisë, ndërsa 16 të tjerë po ndjekin studime ushtarake në akademi të ndryshme gjermane.
Sipas tij, përmes programit Military Training Assistance, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Gjermani.
“Ky bashkëpunim po kontribuon në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse”, ka theksuar Maqedonci.
Ai ka falënderuar Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, ndërsa kadetëve u ka uruar suksese në shërbim të Republikës së Kosovës.
Burimi: RTKLive
