
Dy persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për përgatitje të veprës penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa tre të tjerë ndodhen në arrati.
Sipas policisë, rasti është raportuar më 27 nëntor, rreth orës 22:15, ndërsa hetimet kanë vazhduar edhe të nesërmen.
Gjatë hetimeve është identifikuar dhe intervistuar viktima, si dhe janë identifikuar pesë persona të dyshuar.
Policia ka kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve, ndërsa gjatë operacionit është sekuestruar një veturë e dyshuar, në të cilën është gjetur një pistoletë me silenciator dhe pesë fishekë.
Po ashtu, gjatë kontrolleve është gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë tjetër me shtatë fishekë, transmeton Klankosova.tv.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët vazhdojnë të jenë në arrati.
Rasti po trajtohet si “Përgatitje e veprës penale – Vrasje e rëndë”.