
Policia e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë, inspektor E.A., pasi dyshohet se ka goditur një deputet gjatë zhvillimit të protestës.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është vendosur pezullimi i menjëhershëm i efektivit, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka hapur hetim disiplinor duke u bazuar në pamjet filmike dhe faktet e mbledhura.
Sipas deklaratës zyrtare të Policisë së Shtetit, punonjësi i policisë nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome, çështje e cila po trajtohet në kuadër të shqyrtimit të veprimeve të tij individuale. Institucioni ka dënuar çdo akt dhune dhe ka nënvizuar se e drejta për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore, por asnjë dhunë apo provokim nuk arsyeton tejkalimin e kompetencave ligjore nga ana e policisë.
Njëkohësisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, po zhvillon hetime për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Policia e Shtetit u ka bërë apel qytetarëve që të mbajnë distancë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke bërë të ditur se do të zbatojë tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali