Mungesa e kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është bërë shkak për përplasje mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Rrahmani kritikoi kryeministrin për mungesën e tij në seancat parlamentare, duke thënë se Kurti nuk ka marrë pjesë në katër seanca dhe nuk u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Ai përmendi edhe seancën e kaluar, kur, sipas tij, kryeministri kishte qenë në panairin e organizuar në Pallatin e Rinisë, në vend se të ishte i pranishëm në Kuvend për t’u përgjigjur para deputetëve.
“Kryeministri në katër seanca nuk vjen dhe nuk jep llogari. Në seancën e kaluar ka qenë në Pallatin e Rinisë, në panair, duke shëtitur e vizituar. Nuk e ka marrë përgjegjësinë të vijë e t’u përgjigjet deputetëve”, tha ai.
Ndaj këtyre kritikave reagoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se vizitat zyrtare të kryeministrit ishin planifikuar shumë kohë më parë.
Haxhiu sqaroi se Kurti kishte qëndruar në Paris dhe më pas kishte udhëtuar për në Dublin, duke theksuar se bëhej fjalë për vizita zyrtare në kuadër të përfaqësimit të Kosovës.
Ajo kundërshtoi cilësimet e Rrahmanit për udhëtimet e kryeministrit dhe nuk ia dha fjalën për të vazhduar diskutimin, raporton kp.
“Vizitat zyrtare të kryeministrit Kurti janë planifikuar shumë kohë më parë. Ka qenë në Paris dhe tash në Dublin, dhe nuk ke nevojë të më thuash ‘po shëtitet andej-këndej’, sepse është kryeministër dhe përfaqëson Kosovën. Jo, nuk po ta jap fjalën”, tha ajo.