Mauricio Pochettino ka identifikuar një nga objektivat e tij të parë për përforcimin e Manchester Unitedit, me trajnerin argjentinas që synon transferimin e mbrojtësit të Fulhamit, Calvin Bassey, gjatë afatit kalimtar të janarit 2027.
Mbrojtësi nigerian, 26-vjeçar, është shndërruar në një nga emrat që po shqyrtohen nga drejtuesit e klubit anglez, pasi përshtatet me planet taktike të trajnerit të ri në “Old Trafford”.
Sipas raportimit të mediumit TEAMtalk, Bassey ishte në listën e objektivave të Manchester Unitedit edhe para emërimit të Pochettinos, por trajneri argjentinas tashmë ka dhënë miratimin e tij për këtë transferim.
Megjithatë, realizimi i marrëveshjes nuk pritet të jetë i lehtë, pasi Fulhami kërkon një shumë të konsiderueshme për ta liruar futbollistin.
Fillimisht, klubi londinez vlerësonte se një ofertë prej rreth 48 milionë euro, do të mund të shërbente si pikënisje për negociatat, por pretendimet e fundit flasin për një kërkesë që mund të arrijë deri në 50 milionë funte.
Kjo shumë është dukshëm më e lartë se vlera aktuale e Basseyt në tregun e transferimeve, e cila sipas Transfermarkt vlerësohet në 28 milionë euro.
Deri më tani, Manchester Unitedi nuk ka paraqitur ndonjë ofertë zyrtare, ndërsa interesimi për mbrojtësin ndodhet ende në fazën e vlerësimit të mundësisë së transferimit.
Një prej arsyeve që e bëjnë Basseyn tërheqës për Pochettinon është fleksibiliteti i tij taktik. Reprezentuesi nigerian luan kryesisht si qendërmbrojtës në krahun e majtë, por mund të aktivizohet edhe në pozitën e mbrojtësit të majtë.
Ai ka qenë titullar në të dhjetë ndeshjet e Fulhamit në këtë sezon të Ligës Premier, duke regjistruar gjithsej 900 minuta lojë, pa arritur të shënojë gol apo të asistojë.
Para se të transferohej në Angli, Bassey ishte pjesë e Rangersit dhe Ajaxit, ku fitoi përvojë edhe në garat evropiane. Fulhami e transferoi atë në korrik të vitit 2023, duke i ofruar një kontratë katërvjeçare.
Përveç tij, Manchester Unitedi është lidhur edhe me emra të tjerë për repartin defensiv, përfshirë Nathan Collinsin e Brentfordit dhe Antonee Robinsonin, i cili gjithashtu është pjesë e Fulhamit.
Ndërkohë, klubi londinez po përgatitet të mbrojë interesat e tij në këtë situatë. Kontrata aktuale e Basseyt skadon më 30 qershor 2027, por Fulhami ka në dispozicion një opsion të njëanshëm për ta zgjatur atë deri në vitin 2028.
Për më tepër, drejtuesit e klubit kanë nisur të shqyrtojnë mundësinë e një kontrate të re për mbrojtësin, në mënyrë që të shmangin largimin e tij dhe interesimin e klubeve të tjera.
Nga ana tjetër, Bassey thuhet se është i gatshëm ta shqyrtojë mundësinë e transferimit te Manchester Unitedi, megjithëse deri më tani nuk ka marrëveshje mes palëve. /Telegrafi/