Policia e Kosovës ka pranuar donacion me pajisje teknologjike nga Ambasada Britanike, me qëllim të forcimit të kapaciteteve hetimore të Sektorit të Hetimeve në Departamentin e Kufirit.
Sipas njoftimit të Policisë, pajisjet do t’u mundësojnë hetuesve përpunimin më efikas të provave digjitale, përdorimin e njëkohshëm të aplikacioneve hetimore, si dhe ruajtjen dhe sistemimin e sigurt të dosjeve të hetimit dhe dokumenteve operative.
Sektori i Hetimeve në Departamentin e Kufirit është përgjegjës për hetimin e veprave penale komplekse ndërkufitare, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e armëve të zjarrit dhe falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit dhe identitetit.
Donacioni u dorëzua nga Margaret Belof, shefe e Seksionit për Sundimin e Ligjit dhe Sigurinë e Brendshme në Ambasadën Britanike, te Kamer Jonuzaj, drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se ky donacion pasqyron bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën Britanike në mbështetje të luftimit të krimit të organizuar ndërkufitar.
Burimi: Dukagjini
