
Një kontroll policor në orët e vona të së shtunës në Prishtinë ka përfunduar me sekuestrimin e një thike, pasi mjeti i mprehtë është gjetur te një pasagjer i mitur që po udhëtonte me një veturë të bardhë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 17 tetor, rreth orës 23:40, në rrugën “Ramiz Cërnica”, ku një ekip i Njësisë së Reagimit të Shpejtë ishte vendosur në pikë kontrolli.
Gjatë kontrolleve, zyrtarët policorë kanë ndaluar një veturë Volkswagen, ngjyrë të bardhë, ndërsa te njëri prej pasagjerëve, 17-vjeçar, është gjetur një thikë.
Pas zbulimit të mjetit të mprehtë, i mituri është shoqëruar në stacion policor, ndërsa thika është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Me udhëzim të prokurorit kujdestar për të mitur, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I mituri është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Policia ndal një VW të bardhë në Prishtinë – pasagjerit të mitur i gjendet thikë, sekuestrohet nga njësia speciale appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali