
Policia e Kosovës ka njoftuar se në dy raste të ndara ka parandaluar kontrabandimin e mallrave në veri të vendit.
Në rastin e parë, sipas forcave të rendit, rreth orës 16:30, zyrtarët policorë në fshatin Kamen të Leposaviqit kanë ndaluar një autobus, pasi paraprakisht kishin pranuar informacione se në bagazhin e tij mund të kishte mallra të dyshimta.
“Gjatë kontrollit të autobusit, në hapësirën e bagazhit janë gjetur të fshehura dymbëdhjetë (12) paketa me cigare të llojeve të ndryshme, ku secila paketë përmbante nga 50 boksa me cigare. Shoferi i autobusit ka deklaruar se cigaret i kishte blerë në qytetin e Mitrovicës. Lidhur me rastin janë njoftuar edhe inspektorët e Agjencisë Tatimore të Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se për mallrat e blera nuk posedoheshin dokumente valide, sipas procedurave ligjore.”, thuhet në njoftim.
Për rastin, sipas njoftimit, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që ndaj shoferit të autobusit të iniciohet rast penal për veprën penale “Tregti e ndaluar”.
Ndërsa, ndaj lokalit në Mitrovicë, nga ku dyshohet se janë blerë cigaret, inspektorët do ta trajtojnë sipas procedurave të tyre.
Kurse, në rastin e dytë, rreth orës 20:00, zyrtarët policorë kanë ndaluar për kontroll dy automjete në fshatin Mihaliq, komuna e Leposaviqit.
Gjatë kontrollit të automjeteve, sipas njoftimit, janë gjetur mallra të ndryshme, përfshirë cigare, pije alkoolike, detergjente dhe produkte të tjera, për të cilat dyshohet se nuk janë të pajisura me dokumentacionin përkatës.
“Në lidhje me rastin, me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, mallrat e gjetura janë proceduar për në Doganën e Republikës së Kosovës, për trajtim dhe procedura të mëtejme ligjore.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv