
Policia e Kosovës ka parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit me mallra në rajonin e Mitrovicës së Veriut, gjatë të cilave janë gjetur sasi të konsiderueshme cigaresh, pije alkoolike, detergjentë dhe produkte të tjera pa dokumentacion përkatës.
Sipas njoftimit të Policisë, rastet janë identifikuar të hënën, më 17 nëntor, në dy lokacione të ndara në komunën e Leposaviqit.
Në rastin e parë, rreth orës 16:30, zyrtarët policorë kanë ndaluar një autobus në fshatin Kamen, pas informatave të pranuara nga qytetarët se në bagazhin e tij mund të kishte mallra të dyshimta.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur të fshehura 12 paketa me cigare të llojeve të ndryshme, ku secila përmbante nga 50 boksa. Shoferi ka deklaruar se cigaret i kishte blerë në Mitrovicë, ndërsa inspektorët e Agjencisë Tatimore të Kosovës kanë konstatuar se për to nuk kishte dokumentacion valid.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj shoferit është iniciuar rast penal për veprën penale “Tregti e ndaluar”.
Ndërkaq, rasti i dytë është evidentuar rreth orës 20:00, në fshatin Mihaliq, ku policia ka ndaluar për kontroll dy automjete.
Në to janë gjetur cigare, pije alkoolike, detergjentë dhe mallra të tjera, për të cilat dyshohet se nuk posedonin dokumentacionin përkatës. Me udhëzim të prokurorit, mallrat janë dërguar në Doganën e Kosovës për trajtim dhe procedura të mëtejme ligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali