
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë po vazhdon kontrollet e shtuara në trafik, me fokus të veçantë identifikimin e automjeteve që nuk i plotësojnë kushtet teknike për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion.
Gjatë këtyre kontrolleve, policia po i kushton vëmendje të veçantë modifikimeve të paautorizuara në automjete, përfshirë xhamat e errësuar, ndërhyrjet në sistemin e ndriçimit, sistemet e shkarkimit të gazrave dhe ato të zhurmës, si dhe ndryshimet e tjera që mund të ndikojnë në gjendjen teknike dhe sigurinë e automjeteve, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit, automjetet në të cilat evidentohen parregullsi teknike dërgohen për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, me qëllim të verifikimit të gjendjes së tyre dhe konstatimit të përmbushjes së kushteve të nevojshme për qarkullim të sigurt.
Bëhet e ditur se gjatë këtij viti një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dërguar për këtë lloj kontrolli.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të kujdesen për mirëmbajtjen e mjeteve të tyre, të shmangin modifikimet e palejuara dhe të respektojnë dispozitat ligjore në fuqi.