“Prishtina 2030”, Kurti diskuton me përfaqësuesit francezë për përgatitjet

“Prishtina 2030”, Kurti diskuton me përfaqësuesit francezë për përgatitjet

Written by

in

“Prishtina 2030”, Kurti diskuton me përfaqësuesit francezë për përgatitjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike Paris 2024 nga France Sport Expertise.

Në fokus të takimit ishte përgatitja e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, me theks të veçantë te bashkërendimi institucional dhe infrastruktura e nevojshme.

Kurti bëri të ditur se gjatë takimit morën këshilla për veprimet që duhet të kenë përparësi në këtë proces, duke përfshirë qeverisjen, menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin e projekteve.

“Morëm këshilla për veprimet dhe vendimet që duhet t’i kemi prioritet, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin. Caktimi i afateve dhe ndarja e përgjegjësive, sikurse kostot dhe burimet e financimit, duhet të jenë të qartësuara për rrugën përpara”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se Franca mbetet partnere e rëndësishme e Kosovës në organizimin e këtyre lojërave.

Kjo, sipas tij, dëshmohet edhe përmes marrëveshjes së kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve, si dhe Deklaratës së Synimit për themelimin e Komitetit të përbashkët për Lojërat Mesdhetare, të nënshkruara në fund të korrikut.