Prishtina n’bërllok, Komuna u shkruan deputetëve: S’lejojmë të mbahet peng projekti për inate politike

Prishtina n’bërllok, Komuna u shkruan deputetëve: S'lejojmë të mbahet peng projekti për inate politike

Written by

in

Prishtina n’bërllok, Komuna u shkruan deputetëve: S'lejojmë të mbahet peng projekti për inate politike

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar sot se kryeqyteti i është drejtuar me letër zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për situatën me bërllokun.

Ajo ka kërkuar angazhimin e tyre institucional për zhbllokimin e projektit prej 74.1 milionë eurosh për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

“Sot po u drejtohemi zyrtarisht deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të kërkuar angazhimin e tyre institucional për zhbllokimin e një projekti jetik për Prishtinën. Nuk mund të lejojmë që për inate politike të mbetet peng një investim që prek drejtpërdrejt jetën e rreth 450 mijë qytetarëve të rajonit të Prishtinës. Po flasim për një projekt prej 74.1 milionë eurosh, i cili vazhdon të mbetet i bllokuar”.

Ajo rikujtoi se për këtë projekt është punuar që nga viti 2023, në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi”, Ministrisë së Financave dhe KfË-së, ndërsa Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë më 18 dhjetor 2024.

“Nuk po flasim për një ide që duhet të nisë nga zero. Po flasim për një projekt të përgatitur dhe të dakorduar mes palëve, i cili vazhdon të mbetet pa nënshkrimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati në konferencë.

Përmes letrave zyrtare, Komuna e Prishtinës u kërkon deputetëve që të përdorin mekanizmat parlamentarë për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave lidhur me arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe të angazhohen për tejkalimin e bllokadës.

Letrave u janë bashkëngjitur edhe tri dokumente zyrtare:

1.  Dokumenti i KfË-së lidhur me projektin dhe financimin e tij.

2.  Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 18 dhjetor 2024, për miratimin në parim të nismës për marrëveshjen e kredisë.

3.  Letra e përbashkët e Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfË-së, drejtuar Ministrisë së Financave më 15 maj 2026.

“Deputetëve nuk po u drejtohemi vetëm me një kërkesë. Po ua dorëzojmë edhe dokumentacionin që dëshmon se ky projekt është përgatitur dhe se institucionet janë njoftuar zyrtarisht për nevojën e finalizimit të tij. Presim që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të kërkojnë llogaridhënie”, theksoi Musmurati.