Profesori Adizes në Peja Peace Forum rrëfeu historinë e familjes së tij dhe lidhjen me Kosovën: I detyrohem me jetë popullit shqiptar

Profesori Adizes në Peja Peace Forum rrëfeu historinë e familjes së tij dhe lidhjen me Kosovën: I detyrohem me jetë popullit shqiptar

Written by

in

Profesori i njohur ndërkombëtarisht, Ichak Kalderon Adizes, ka ndarë një rrëfim personal për historinë e familjes së tij hebreje dhe lidhjen shumëvjeçare me Kosovën, duke kujtuar se si gjatë Luftës së Dytë Botërore dy persona nga Kosova ndihmuan familjen e tij t’u shpëtonte nazistëve dhe të gjente strehim në Shqipëri.

Adizes, i cili ishte pjesë e edicionit të tretë të Peja Peace Forum me temën “Urtësia njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale”, ka treguar se lidhja e familjes së tij me Prishtinën daton që nga viti 1632, kur paraardhësit e tij u vendosën në këtë qytet pasi ishin dëbuar nga Spanja për shkak të refuzimit për t’u konvertuar në krishterim.

“Kosova është një vend i veçantë për mua në zemër”, tha fillimisht profesori Adizes.

“Së pari, familja ime u zhvendos në Prishtinë, pasi u dëbuan nga Spanja për shkak të refuzimit për t’u konvertuar në krishterim, ata u zhvendosën në Prishtinë në vitin 1632, 350 vjet më parë”.

Ai ka treguar se disa breza të familjes së tij janë varrosur në varrezat hebraike në Prishtinë.

“Shumë e shumë breza të familjes Adizes janë varrosur në një varrezë në Prishtinë”, potencoi ai.

Profesori ka kujtuar edhe periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur familja e tij ishte në rrezik nga nazistët italianë. Ai ka rrëfyer se një person nga Kosova i kishte fshehur në bodrumin e shtëpisë së tij, ndërsa një tjetër i kishte ndihmuar të kalonin malet drejt Shkodrës, ku më pas kishin gjetur strehim te një familje shqiptare.

“Dhe më pas, në ’43, për t’i shpëtuar nazistëve italianë, një kosovar na fshehu në bodrumin e shtëpisë së tij, dhe një kosovar tjetër, na dha besën, na zhvendosi përmes maleve natën për në Shkodër, ku një familje tjetër shqiptare na fshehu deri në fund të luftës”, ka deklaruar Adizes.

Duke folur për ndihmën që familja e tij kishte marrë, Adizes ka shprehur mirënjohjen për popullin shqiptar.

“Kështu që unë i detyrohem me jetë popullit shqiptar”, u shpreh i emocionuar profesori.

Ai ka treguar se ende i kujton disa fjalë dhe një këngë shqiptare nga ajo periudhë.

“Mbaj mend edhe disa fjalë: ‘Tungjatjeta’ dhe një këngë: ‘Karajfil i Shkodrës amane, karajfil i Shkodrës…’”, shtoi më tej ai.

Pjesë e këtij forumi ishte edhe ekspozita fotografike e fotografit të Telegrafit, Korab Basha, ku të pranishmit patën mundësinë t’i shihnin nga afër fotografitë e realizuara gjatë forumit.

Forumi, i organizuar në Universitetin “Haxhi Zeka”, këtë vit përkoi edhe me 20-vjetorin e themelimit të Rotary Club Peja, klubit të parë rotarian në Kosovë. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, akademikë, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Tema qendrore e këtij edicioni ishte “Revolucioni i Urtësisë: Vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale”, përmes së cilës u trajtua rëndësia e gjykimit etik, dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësisë në përdorimin e teknologjisë.

Themeluesi i Rotary Club Peja, Dr. Neshad Albani, tha se qëllimi i këtij edicioni ishte që zhvillimi i inteligjencës artificiale të shoqërohet me urtësi dhe përgjegjësi njerëzore.

“Po ky Forumi i Paqes sivjet, edicioni i tretë është ne e kemi emnuar edhe si revolucion i urtisë, domethënë vjen revolucioni edhe zhvillime të mëdha, mirëpo ne po dojmë me e kthy pak në urtësi, në mençuri që si të përdoret Inteligjenca Artificiale dhe për mos me tejkalu, mos me u transformu ose mos me u bartë krejt ajo çfarë njeriu bën tek makina”, tha Albani.

Ai theksoi se, pavarësisht përparimit teknologjik, nuk duhet të humben aftësitë dhe vlerat që lidhen me ndërveprimin njerëzor.

“Edhe këtu me e futë atë urtësinë, mençurinë e njeri, se si të përdoret, mirëpo duke mos e humbë kompetencën për shumë gjëra, siç e thanë edhe disa nga folësit është ajo empatia, dhimbja, kontakti, për shembull mjeku, mund të merr një skanim, mund të interpretohet një MRI apo CT, mirëpo pacienti me mjekun nuk folin”, potencoi ai.

Albani tha se forumi ka rëndësi edhe për ndërkombëtarizimin e Pejës si qendër të diskutimeve për paqen.

“Edhe kështu që kjo konferencë sot apo ky Forum i Paqes, është shumë me rëndësi edhe shumë me rëndësi që kishim edhe folëse nga Amerika i kemi afër gjashtë nga Gjermania tre edhe kjo është një si me thënë një përvojë e re për ne dhe qëllimi jonë është që Pejën me bo që si qendër për paqe për të ardhmen”, shtoi më tej themeluesi i Rotary Club Peja.

Në kuadër të forumit u trajtua edhe përgjegjësia e institucioneve dhe organizatave në përdorimin e inteligjencës artificiale.

Glenn A. Miller, anëtar i Këshillit të Qytetit të Indios dhe përfaqësues i distriktit të kongresistit amerikan Ken Calvert, tha se institucionet duhet të përcaktojnë politika dhe procedura të qarta për përdorimin e kësaj teknologjie.

“Mendoj se politikat dhe procedurat duhet të vendosen në bazë të mundësive që paraqiten, varësisht se çfarë është çështja. Kur flasim për detyrimet morale, detyrimet etike dhe detyrimet e përdorimit të inteligjencës artificiale në formën e duhur, është përgjegjësi e secilit agjencion që do ta përdorë atë, për t’u siguruar se po merret në përmbajtjen më të mirë, duke u siguruar se është përpunuar në mënyrën e duhur, se është arritur në mënyrë ligjore dhe se është pjesë e sistemit dhe në vend, e politikave dhe procedurave të atij organizmi, për t’u siguruar se shihet vetëm nga individë të caktuar dhe pastaj shfrytëzohet për atë që është qëllimi dhe detyrimet”, tha Miller.

Ai shtoi se mbrojtja e dinjitetit, moralit dhe të drejtave të njeriut duhet të jetë pjesë e çdo politike që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale.

“Prandaj, mendoj se është shumë jetike që çdo organizatë të përdorë një grup rregullash dhe detyrimesh për t’u siguruar se dinjiteti, morali dhe të drejtat e njeriut merren në konsideratë dhe sigurohen se kjo është çelësi numër një i qëllimit të përdorimit të inteligjencës artificiale”, shtoi më tej ai.

Programi i forumit u zhvillua përmes tri paneleve kryesore, të cilat iu kushtuan sigurisë njerëzore, të drejtave të njeriut dhe autonomisë së agjentëve të inteligjencës artificiale.

Ngjarja u përmbyll me prezantimin dhe nënshkrimin zyrtar të Deklaratës së Pejës nga katër partnerët themelues, si shprehje e angazhimit për zhvillimin dhe përdorimin e një teknologjie që i shërben paqes dhe njerëzimit. /Telegrafi/