Propozimi për vendosjen e një page minimale prej 5 mijë frangash në muaj për të gjithë personat që kanë përfunduar një shkollim profesional në Zvicër, i bërë publik një ditë më parë nga sindikatat zvicerane, ka nxitur reagime të forta nga përfaqësuesit e punëdhënësve.
Pas kërkesës së Unionit të Sindikatave Zvicerane (USS), të drejtuar nga Pierre-Yves Maillard, që punëtorët me diplomë profesionale të përfitojnë së paku 5 mijë franga në muaj, organizatat ekonomike kanë dalë kundër këtij propozimi, duke paralajmëruar pasoja të mundshme për tregun e punës dhe sistemin e arsimit profesional.
Sipas raportimit të mediumit zviceran Blick, presidenti i Unionit Zviceran të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (USAM), Fabio Regazzi, ka kritikuar kërkesën e sindikatave, duke thënë se rregullimet shtesë mund ta bëjnë më të kushtueshëm arsimin profesional dhe t’i shtyjnë kompanitë të ofrojnë më pak vende për praktikantë.
Edhe Nicole Meier nga Unioni i Punëdhënësve të Zvicrës kundërshton një pagë minimale të imponuar nga shteti. Sipas saj, pagat duhet të përcaktohen duke marrë parasysh dallimet mes sektorëve, profesioneve dhe rajoneve, transmeton Telegrafi.
Nga ana tjetër, sindikatat argumentojnë se shkollimi profesional duhet të garantojë një pagë dinjitoze. Sipas të dhënave të tyre, rreth 28 për qind e personave me diplomë profesionale në Zvicër fitojnë më pak se 5 mijë franga në muaj.
Propozimi ende nuk është miratuar. Nëse merr miratimin e kongresit të sindikatave, që pritet të mbahet në Bernë, vitin e ardhshëm mund të nisë përgatitja dhe procedura për një iniciativë popullore.
Debati për pagën minimale prej 5 mijë frangash pritet të vazhdojë, ndërsa mbetet të shihet nëse kjo kërkesë do të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u shndërruar në një iniciativë konkrete në Zvicër./Telegrafi/