Edhe në Istog sot është mbajtur protestë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.
Përmes kësaj proteste, gratë dhe qytetarët e Istogut kanë kërkuar drejtësi për Arlindën, si dhe kanë ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave.
Në mesazhin e protestës është theksuar se tubimi nuk është vetëm një reagim ndaj rastit tragjik, por edhe një thirrje për ndryshim dhe për një shoqëri ku gratë mund të jetojnë pa frikë nga dhuna.
“Nuk jemi mbledhur vetëm për të protestuar, por për të kërkuar ndryshim. Për Arlindën, për çdo grua dhe për një të ardhme pa dhunë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga “Istogu Sot”.
Protesta në Istog i është bashkuar thirrjeve për drejtësi për Arlindën Zekaj dhe për masa më të fuqishme në parandalimin e dhunës ndaj grave. /Telegrafi/