Ushtria amerikane njoftoi të shtunën se forcat e saj kanë “neutralizuar” një anije tregtare në Gjirin e Omanit, pasi ekuipazhi i saj civil “shpërfilli paralajmërime të përsëritura” dhe bëri disa përpjekje për të “shkelur” bllokadën detare ndaj Iranit.
“Një aeroplan ushtarak amerikan qëlloi me municione precize në pjesën e pasme të anijes ‘M/V Huda’ –duke e neutralizuar atë, pasi forcat e CENTCOM-it i kishin udhëzuar anëtarët e ekuipazhit të largoheshin nga hapësirat e shënjestruara. Anija e ngarkesave u përpoq të largohej nga ujërat e rajonit pasi kishte vizituar një port iranian”, deklaroi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), duke shtuar se ajo vazhdon të “zbatojë rreptësisht” bllokadën kundër Iranit.
Sipas komandës ushtarake, që nga muaji korrik, forcat amerikane kanë devijuar 147 anije tregtare që iu bindën bllokadës, ndërsa kanë neutralizuar pesë anije tregtare që refuzuan të vepronin kështu.
“Për më tepër, CENTCOM-i ka shkatërruar më parë 10 cisterna të tjera iraniane për transportin e naftës, të cilat ishin pjesë e rrjetit të fshehtë shumëmiliardë dollarësh të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike”, thuhet më tej në njoftim, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Agjencia e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) njoftoi vonë të shtunën se kishte marrë një raport për një incident midis një anijeje mallrash dhe forcave ushtarake në Gjirin e Omanit, rreth 18 milje detare në lindje të Khor Fakkan-it, në bregun lindor të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Garda Kombëtare e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi herët të dielën se 22 persona ishin shpëtuar nga një anije mallrash në gji.
Në të njëjtën kohë, forcat detare të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) pretenduan në një deklaratë se dy cisterna nafte – njëra në lindje të Ngushticës së Hormuzit dhe tjetra duke lundruar brenda këtij kalimi strategjik – kishin marrë flakë pasi kishin goditur mina.
Garda deklaroi se anijet po përdornin një itinerar “të paautorizuar”.
“Këto dy cisterna, përmes shkeljeve të shumta dhe duke fikur sistemet e tyre të navigimit dhe pozicionimit, synonin të kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit duke përdorur një rrugë të paautorizuar. Pasi goditën një minë, ato shpërthyen dhe aktualisht janë duke u djegur”, thuhet në deklaratën e forcave detare të IRGC-së.
Garda akuzoi gjithashtu komandantin e CENTCOM-it për “fantazi” dhe paralajmëroi se çdo anije apo mjet lundrues që bashkëpunon me ushtrinë amerikane, “shkel rregulloret iraniane për ngushticën e Hormuzit dhe hyn në zonën e paautorizuar, pashmangshmërisht do të godasë një minë”.
Tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit lidhur me ngushticën e Hormuzit janë ndezur sërish ditët e fundit, pas përfundimit të zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Të premten në mbrëmje, u raportua për shpërthime në ishullin Qeshm, ndërsa agjencia e lajmeve Tasnim njoftoi se dy raketa kishin goditur zonën.
Pak orë më vonë, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se forcat amerikane kishin vënë në shënjestër një sistem iranian të mbrojtjes ajrore.
E agjencitë iraniane të lajmeve raportuan të shtunën në mbrëmje se ishin dëgjuar shpërthime të tjera në Qeshm, Sirik, Jask dhe Bandar Abbas. /Telegrafi/