
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbërritur në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas raportimeve në media ai do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me projektin e “Arkitektit të Kryeqytetit”.
Dyshimet kryesore rreth projektit të “Arkitektit të Kryeqytetit” në Prishtinë ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën e lartë të kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe dyshimet për manipulim stafi dhe konflikt interesi.
Ky projekt, i iniciuar nga Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Përparim Ramës, ka qenë në qendër të kritikave të opozitës dhe opinionit publik.
Intervistimi vije vetëm disa ditë pasi zyrtarë të VV-së kanë paralajmëruar një arrestimin të mundshëm të Ramës.
Ky paralajmërim fillimisht kishte ardhur nga deputeti i VV-së, Egzon Azemi.
“Përparim Rama… tik tak, tik tak…”, kishte shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Paralajmërimi kishte ardhur menjëherë pas ndryshimeve në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.
Më 2 tetor, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) shkarkoi Isufajn, me gjashtë vota për dhe një kundër.
Drejtimin e përkohshëm ia besoi prokurorit Dren Paca.
Mbledhja ishte e jashtëzakonshme dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, duke nxitur kundërshtime lidhur me transparencën.
KPK-ja e arsyetoi vendimin me keqmenaxhim, jokompetencë, mospërmbushje detyrash dhe performancë të pamjaftueshme.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte reaguar ndaj paralajmërimeve të zyrtarëve të VV-së.
Ai u kishte bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i cilëson si kërcënime ndaj tij nga deputetë dhe asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali