Rama përsërit ftesën për dialog me studentët: Jam gati në çdo orë

Rama përsërit ftesën për dialog me studentët: Jam gati në çdo orë

Written by

in

Rama deklaroi se dialogu dhe përballja demokratike e ideve janë rruga e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, pavarësisht dallimeve në qëndrime.

“Jam i gatshëm kudoqoftë, në çdo vend, në çdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë”, u shpreh kryeministri, duke nënvizuar rëndësinë e mirëkuptimit dhe komunikimit.

Megjithatë, ai paralajmëroi se çdo veprim që shkel ligjin do të ndiqet sipas përgjegjësisë përkatëse. Rama akuzoi disa persona se po përpiqen të shfrytëzojnë protestën studentore për interesa të tjera politike dhe dënoi përdorimin e dhunës gjatë tubimeve.

“Kush e mori peng kryeqytetin duhet ta dijë se do të përgjigjet. Do të përgjigjet ligjërisht, penalisht”, deklaroi Rama, duke theksuar se pasojat do të varen nga shkalla e shkeljeve të kryera.

Kreu i qeverisë shtoi se vullneti i një komuniteti nuk mund të imponohet përmes dhunës dhe se përplasjet nuk duhet të përcaktojnë drejtimin politik të vendit.

Në përfundim, Rama u shpreh i bindur se Shqipëria do të vijojë rrugën drejt integrimit europian, pavarësisht tensioneve dhe kundërshtive politike.

“Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së”, theksoi kryeministri, duke përsëritur angazhimin e qeverisë për vazhdimin e procesit të integrimit europian.

Burimi: RTKLive