Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet më 25 nëntor në Bruksel

Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet më 25 nëntor në Bruksel

Written by

in

Sipas njoftimit të Këshillit Evropian, samiti do të riafirmojë rëndësinë strategjike të marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.

Bashkimin Evropian në këtë takim do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është prioriteti ynë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim thelbësor gjeopolitik në këto kohë të trazuara. BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit”, ka deklaruar Costa.

Në samit pritet të diskutohet për reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zbatojnë për të avancuar në rrugën drejt anëtarësimit, si dhe për përparimin në integrimin gradual të rajonit në Bashkimin Evropian.

Sipas njoftimit, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mundësive për zbatimin e mëtejshëm të tij.

Liderët do të shqyrtojnë gjithashtu sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në një situatë gjithnjë e më komplekse gjeopolitike.

Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian për periudhën 2024–2029. Takimi i fundit ndërmjet liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u mbajt në Mal të Zi, në qershor të vitit 2026.

Burimi: RTKLive