
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar mëngjesin e së dielës lidhur me protestat e ditëve të fundit, duke deklaruar se ato nuk përbëjnë sfidë vetëm për të apo për qeverinë, por për synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Rama ka thënë se dëmet e shkaktuara gjatë protestave nuk janë të vogla, por mund të riparohen. Ai ka theksuar se është përpjekur të mos bjerë në atë që e cilësoi si kurth të dhunës së verbër.
Kreu i qeverisë shqiptare ka kritikuar hedhjen e gurëve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Shtetit, duke paralajmëruar se një gur mund të shndërrohet në armë vdekjeprurëse.
Ai ka pretenduar se në protestat e dhunshme nuk bëhet fjalë për studentë që protestojnë, por për një “grup zjarri të paguar”.
Rama u është referuar edhe punonjësve të policisë që janë përballur drejtpërdrejt me protestuesit, duke vënë në pah, sipas tij, sakrificën e tyre dhe kushtet ekonomike të familjeve të tyre.
“Familjet e atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që janë me uniformë dhe nën uniformë marrin këtë dhuratë në breshëri, pa pushim! Me orë e orë të tëra, ndërkohë që në ekrane demonizohen si autorë të dhunës”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se, sipas tij, zhvillimet e fundit nuk janë thjesht një përballje me qeverinë, por një sfidë ndaj synimit të Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
“Nuk po sfidohem unë apo qeveria, por Shqipëria në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Rama, duke iu referuar objektivit të vendit për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Rama reagon për protestat me një gur në dorë: Janë grup zjarri i paguar appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali