Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme barnash dhe mallrash të kategorive të ndryshme në Fushë-Kosovë, nën dyshimet për kontrabandë dhe shmangie të tarifave doganore.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur më 17 tetor, rreth orës 22:40, kur njësitë e Sektorit të Hetimeve të Policisë Kufitare, pas trajtimit të informatave për dyshime për kontrabandë, kanë ndaluar për kontroll një automjet transportues (kombi) me targa vendore, në të cilin ndodheshin dy persona të dyshuar.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur mallra të kategorive të ndryshme, përfshirë barna, produkte higjienike, bizhuteri, veshmbathje, pajisje teknologjike, kompjuterë, laptopë dhe telefona celularë.
Të dyshuarit, të dy meshkuj kosovarë, gjatë intervistimit kanë deklaruar se mallrat i kishin sjellë nga Maqedonia e Veriut, por nuk kanë paraqitur dokumentacion që dëshmonte importin e ligjshëm të tyre.
Përveç mallrave të gjetura, si prova materiale është sekuestruar edhe automjeti transportues.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti po trajtohet nën dyshimet për prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore, kontrabandim me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave doganore ose akcizore.
Burimi: Dukagjini
