
Raphinha po kalon një periudhë të shkëlqyer sa i përket realizimit të golave, gjë që e dëshmoi edhe në përballjen me Aston Villën në Ligën e Kampionëve, ku braziliani shënoi dy herë dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes (MVP).
Për Raphinhan, kjo ishte ndeshja e tretë radhazi në të cilën arrin të gjejë rrugën drejt rrjetës. Forma e tij e mirë është reflektuar edhe në aspektin kontraktual, pasi ai ka arritur marrëveshje me Barcelonën për vazhdimin e bashkëpunimit deri në vitin 2030.
Drejtori sportiv i klubit, Deco, e kishte bërë të ditur marrëveshjen gjatë Asamblesë së fundit të Barcelonës, të mbajtur në shtator. Ndërkaq, këtë të enjte, braziliani pritet të nënshkruajë zyrtarisht kontratën e re, së bashku me presidentin e klubit katalanas, Joan Laporta.
Ndërkohë, me golat e realizuar ndaj Aston Villas, Raphinha është ngjitur në mesin e golashënuesve më të mirë të Barcelonës në historinë e Ligës së Kampionëve.
Braziliani ka arritur në kuotën e 23 golave në këtë kompeticion, duke barazuar Robert Lewandowskin. Para tyre renditet Luis Suarez me 25 gola në 55 ndeshje, ndërsa në krye mbetet Lionel Messi, i cili ka shënuar 120 gola në 149 paraqitje.
Dy golat ndaj Aston Villas e kanë çuar gjithashtu Raphinhan në kuotën e 94 golave me fanellën e Barcelonës, duke barazuar ish-futbollistin brazilian Ronaldinho.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali