Raportet për Arlindën – Kryeministria s’i çon, përplasen deputetët (VIDEO)

Raportet për Arlindën - Kryeministria s’i çon, përplasen deputetët (VIDEO)

Written by

in

Raportet për Arlindën - Kryeministria s’i çon, përplasen deputetët (VIDEO)

Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt është shoqëruar me mospajtime dhe përplasje mes deputetëve, pasi komisionit nuk iu dorëzuan dokumentet dhe raportet e kërkuara nga institucionet.

Kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, bëri të ditur se i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit për dorëzimin e raporteve, por deri në momentin e mbledhjes ato nuk ishin pranuar.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se nuk ka asnjë arsye që këto raporte të mos i vihen në dispozicion komisionit hetimor.

Gjatë diskutimeve u ngritën edhe çështje që lidhen me mënyrën e komunikimit ndërmjet komisionit dhe institucioneve, ndërsa pati mospajtime edhe për përfshirjen e institucioneve në listën e atyre prej të cilave do të kërkohen dokumente dhe dëshmi.

Pas një debati të gjatë, kryetari Burim Ramadani dhe dy anëtarët e Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës u larguan nga mbledhja.

Ramadani kritikoi qasjen e LVV-së, duke thënë se nuk po pranohet që Zyra e Kryeministrit të përfshihet në listën e institucioneve nga të cilat komisioni mund të kërkojë dokumente dhe dëshmi.

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, kërkoi që përgjegjësia për rastin të hetohet në të gjitha nivelet, nga hallkat më të ulëta deri te zyrtarët me përgjegjësi politike.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi që çështja të tejkalohet përmes një qasjeje të njëjtë ndaj të gjitha institucioneve. Ajo përmendi edhe përfshirjen e Komunës së Pejës në propozimin për institucionet që do të duhej të përfshiheshin në hetim.

Megjithëse Ramadani kishte paralajmëruar se takimi i radhës do të mbahej të hënën, deputetët e LVV-së dhe ata të komuniteteve u rikthyen në një takim tjetër gjatë pasdites së së premtes, pa praninë e kryetarit dhe anëtarëve të larguar të PDK-së.

Detajet në kronikën e përgatitur nga Klan Kosova: