
Dobësi në menaxhimin financiar, mospërputhje në regjistrimin e pasurive, pasaktësi në llogaritë e arkëtueshme dhe mungesë e kontrolleve të brendshme janë disa nga të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” për vitin 2025.
Raporti, i cili përmban 14 rekomandime, u shqyrtua në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u kërkuan sqarime nga drejtuesit e kompanisë, ndërsa deputeti Eman Rrahmani kërkoi që me rastin të merret edhe Prokuroria.
Kryetari i Komisionit, Besian Mustafa, gjatë prezantimit të të gjeturave të raportit, tha se auditimi ka identifikuar dobësi të theksuara në prezantimin dhe saktësinë e pasqyrave financiare të ndërmarrjes, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.
“Në raportin e auditimit KRU Hidrodrini për vitin 2025 janë identifikuar dobësi thë theksuara në prezantimin dhe saktësinë e pasqyrave financiare, përfshirë mosregjistrimin dhe mbivlerësimin e pasurive, pasaktësinë në llogarinë të arktimit dhe të paluejtshme, projektim jo të duhur nga të hyrat nga grantet si dhe mungesë të evidencave dhe shpalosjeve të nevojshme. Po ashtu janë konstatuar dobësi në menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm dhe kontrollin e brendshëm, si administrimi i kontratave përmes e-prokurimit, niveli i ulët i lidhjes së kontratave me konsumatorë dhe mosfunksionimi i mekanizmave të auditimit të brendshëm. Ky raport, pra për vitin 2025, ka rezultuar me gjithsej 14 rekomandime, prej tyre dy janë rekomandime të reja, tetë të përsëritura nga viti paraprak, pra 2024, dhe katër janë pjesërisht të përsëritura”, tha Mustafa.
Një nga të gjeturat kryesore lidhet me mospërputhjen ndërmjet vlerës së pasurive të paraqitura në pasqyrat financiare dhe asaj të evidentuar në regjistrin e pasurive.
Lidhur me këto të gjetura, kryesuesja e Bordit të Hidrodrinit, Qëndresa Kukaj, tha se një pjesë e rekomandimeve tashmë janë trajtuar, ndërsa për të tjerat janë duke u ndërmarrë veprime.
“Lidhur me mosparaqitjen e kontratave në e-prokurim kjo është trajtuar dhe të gjitha kontratat menaxhohen përmes sistemit. Mund të ofrojmë dëshmi për këtë. Sa i përket mungesës së komisionit të auditimit, kjo është e trajtuar, përshkak se me emërimin e bordit në prill. Tek regjistrimi jo korrekt i aseteve për implantin dhe gjetet e tjera, kjo është trajtuar pjesërisht përshkak se menjëherë është kërkuar menaxhmentit të filloj me gjetjen e dokumenteve të dëshmive. Tri gjetje janë të trajtuara, gjashtë gjetje janë në proces të trajtimit. Sa i përket pronave të paidentifikuara kemi kërkuar nga menaxhmenti dhe në këtë rast kryeshefi ka krijuar listën e plotë të pronave të kompanisë, kjo është ende në proces.. tek konsumatorët e paidentifikuar edhe kjo është trajtuar pjesërisht, një pjesë e të hyrave që janë të regjistruara si konsumatorë të paidentifikuar janë nga konsumatorë si shkolla, universitetet”, tha ajo.
Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i Hidrodrinit, Dri Cena, tha se ndërmarrja ka shënuar përmirësime në krahasim me vitet e mëparshme, ndonëse pranoi se vazhdojnë të ekzistojnë probleme, sidomos në lidhjen e kontratave me konsumatorët.
Ai tha se ndërmarrja nuk ka pasur auditimit nga ZKA-ja para vitit 2023, kur ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv.
Megjithatë, raporti nxiti reagime edhe nga anëtarët e komisionit.
Deputeti Eman Rrahmani e cilësoi shqetësues raportin e auditimit, duke kërkuar që Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike t’ia përcjellë atë Prokurorisë për hetim.
Komisioni tani po shqyrton raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të ndërmarrjes Trepça.