
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 26-vjeçarit Endrit Jashari, i dyshuar për sulmin fizik ndaj një mjeku kujdestar në Emergjencën e Ferizajt.
Gazeta Sinjali raportoi dje ekskluzivisht për rastin, duke zbuluar edhe identitetin e të dyshuarit, i cili dyshohet se e goditi me grusht në fytyrë mjekun F.F., 32-vjeçar, derisa ky i fundit po i ofronte ndihmë mjekësore babait të tij.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 00:35, në ambientet e Shërbimit Emergjent Primar të QKMF-së në Ferizaj, në rrugën “Ramadan Rexhepi”.
I dyshuari kishte sjellë babanë e tij, i cili ishte në gjendje të dukshme të dehur, për të marrë trajtim mjekësor. Gjatë kohës kur personeli shëndetësor po kujdesej për pacientin, 26-vjeçari dyshohet se kishte ndërhyrë duke ushtruar presion ndaj stafit.
Për shkak të hapësirës së kufizuar dhe nevojës që trajtimi të zhvillohej pa pengesa, atij i ishte kërkuar të largohej nga dhoma, por ai dyshohet se kishte refuzuar dhe më pas e kishte goditur një herë me grusht në pjesën e majtë të fytyrës mjekun kujdestar.
Siç raportoi dje Gazeta Sinjali, pas incidentit kishte ndërhyrë një person i pranishëm, i cili e kishte larguar të dyshuarin, ndërsa Policia kishte reaguar dhe e kishte arrestuar atë në vendngjarje.
Mjeku nuk kishte raportuar lëndime dhe nuk kishte kërkuar trajtim mjekësor.
Ndaj Endrit Jasharit, i cili po mbahet në ndalim prej 48 orësh që nga 1 nëntori, Prokuroria tashmë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e paraburgimit, nën dyshimin për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali