
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka reaguar pas sulmit të dyshuar ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, Qëndresa Sejdiu, e cila dyshohet se u sulmua fizikisht gjatë një seance gjyqësore në terren, në fshatin Sadovinë e Jerlive.
Përmes një reagimi publik, KGJK e ka dënuar ashpër incidentin, duke e cilësuar të papranueshëm dhe të patolerueshëm çdo sulm ndaj gjyqtarëve. Sipas këtij institucioni, veprime të tilla nuk përbëjnë vetëm sulm ndaj një gjyqtari, por edhe ndaj sistemit të drejtësisë dhe vetë sundimit të ligjit.
“Çdo akt i tillë përbën sulm ndaj sistemit të drejtësisë dhe ndaj vetë sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e KGJK-së.
Këshilli ka shprehur mbështetjen për gjyqtarët në ushtrimin e detyrave të tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, ndërsa u ka bërë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e rastit dhe garantimin e sigurisë së gjyqtarëve.
Siç ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 4 nëntor, rreth orës 14:00, gjatë një procedure kontestimore për një çështje pronësore.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i dyshuari, Herion Ymeri, rreth 40-vjeçar, dyshohet se është përplasur me gjyqtaren pas pakënaqësisë me vendimin e saj, duke e kapur për krahu, e shtrënguar dhe shtyrë disa herë, ndërsa përsëriste: “Kjo është prona ime!”
Pas ndërhyrjes së Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë rajonale në Gjilan, ndërsa përgjegjësia eventuale penale e të dyshuarit do të përcaktohet nga organet e drejtësisë gjatë procedurës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali