Raportoi se hajnat ia vodhën pushkën në Vushtrri – Policia zbulon se pronari nuk kishte leje për armën

Raportoi se hajnat ia vodhën pushkën në Vushtrri – Policia zbulon se pronari nuk kishte leje për armën

Written by

in

Raportoi se hajnat ia vodhën pushkën në Vushtrri – Policia zbulon se pronari nuk kishte leje për armën

Një qytetar nga Vushtrria, i cili fillimisht kishte kërkuar ndihmën e Policisë pasi persona të panjohur i kishin vjedhur pushkën e gjuetisë nga shtëpia, tashmë është bërë vetë subjekt i hetimeve penale. Gjithçka ka ndodhur pasi verifikimet kanë zbuluar se arma e raportuar si e vjedhur ishte mbajtur pa lejen përkatëse.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Slavisha Stoliqin, 44 vjeçar nga fshati Prelluzhë i Vushtrrisë, i cili më 18 tetor kishte raportuar se persona të panjohur kishin hyrë në shtëpinë e tij dhe i kishin marrë një pushkë gjuetie të prodhimit rus, me dy tyta horizontale, të kalibrit 16 GA.

Pas denoncimit, Policia kishte iniciuar rastin për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa krahas hetimeve për identifikimin e autorëve, ishte kërkuar edhe verifikimi i dokumentacionit të armës.

Pikërisht ky verifikim ka nxjerrë në pah një tjetër problem për pronarin.

Më 19 tetor, njësia e hetimeve ka marrë konfirmimin nga zyra përkatëse e armëve se Stoliqi nuk posedonte leje për pushkën e raportuar si të vjedhur.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, ai kishte vetëm një dokument që dëshmonte se kishte aplikuar për leje, por jo autorizimin përkatës për posedimin e armës.

Pas këtij konstatimi, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që pronari të intervistohet, këtë herë në cilësinë e të dyshuarit.

Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas intervistimit, Slavisha Stoliqi është liruar në procedurë të rregullt.

Kështu, rasti që nisi me denoncimin e vjedhjes së një pushke ka përfunduar me dy çështje penale: njërën për vjedhjen e armës dhe tjetrën për posedimin e saj pa leje.

Hetimet për identifikimin e autorëve të vjedhjes dhe rrethanat e posedimit të armës po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Raportoi se hajnat ia vodhën pushkën në Vushtrri – Policia zbulon se pronari nuk kishte leje për armën appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali