
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, pret që pas fitores së Listës Studentore në Serbi të rifillojë dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Rashiq ka thënë se dialogu duhet të jetë ndër temat e para të Qeverisë së re në Serbi, me synimin që të dyja palët të përqendrohen në integrimet evropiane.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e agjendës evropiane. Pres që kjo të jetë një ndër temat e para kur të formohet Qeveria e re në Serbi. Të rifillojë dialogu që ka ngecur prej një kohe”, ka deklaruar Rashiq.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillohet që nga viti 2011. Megjithatë, vazhdimi i tij në nivel të lartë politik është kushtëzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ekstradimin nga Serbia të Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.
Lista Studentore, e cila doli nga protestat kundër korrupsionit në Serbi, deri më tani nuk është deklaruar për rastin e Banjskës apo për Radoiçiqin.
Sa i përket qëndrimit të kësaj lëvizjeje për Kosovën, Rashiq ka thënë se nuk pret që përfaqësuesit e saj të deklarohen kundër Kushtetutës së Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.
Megjithatë, ai ka vënë në pah se Lista Studentore është shprehur në mbështetje të integrimeve evropiane, duke e konsideruar këtë një element të rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme politike.
Sipas vlerësimeve preliminare të rezultateve zgjedhore në Serbi, Lista Studentore ka fituar 52,65 për qind të votave, ndërsa Serbia e Bashkuar, e udhëhequr nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiq, ka marrë 39,22 për qind.
Rashiq ka shprehur gjithashtu shpresën që pushteti i ri në Serbi të ndalë, siç e ka cilësuar ai, keqpërdorimin e parave dhe burimeve që vijnë nga Serbia, si dhe të mos ushtrojë presion ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ai ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, Partia Përparimtare Serbe ka ushtruar ndikim përmes Listës Serbe, e cila është forca kryesore politike e serbëve në Kosovë.
Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, ndërsa një mandat e fitoi partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.
Ndërkohë, Lista Serbe ende nuk ka reaguar publikisht për fitoren e Listës Studentore në zgjedhjet e së dielës në Serbi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali