
Me shumicë votash, Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka vendosur që intervistimi i Toska Gegës, menaxhere në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë, të zhvillohet me dyer të mbyllura për publikun.
Kërkesën për mbylljen e seancës e paraqiti vetë Gega, duke arsyetuar se gjatë dëshmisë do të trajtohet edhe një çështje që përfshin një të mitur.
“Kam një kërkesë që komisioni të mbahet me dyer të mbylluara për arsye së në pyetje është një i mitur”, tha ajo.
Lidhur me këtë kërkesë pati qëndrime të ndryshme nga deputetët anëtarë të Komisionit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, kërkoi që pjesa e parë e intervistimit, të cilën e cilësoi si më të përgjithshme, të zhvillohej në seancë të hapur për publikun.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, u shpreh se puna e Komisionit duhet të jetë transparente dhe se seanca duhet të mbyllet vetëm në ato pjesë ku vlerësohet se është e nevojshme.
“Ky komisin duhet me qenë i hapur përveç në ato përgjigje që ju vlerësoni që duhet të jetë i mbyllur”, tha ai.
Megjithatë, pas votimit, Komisioni vendosi që intervistimi i Gegës të mbahet me dyer të mbyllura për publikun.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali