Rasti i Arlindës, nisin procedurat ndaj kryeprokurores dhe prokurores – KPK-ja shqyrton suspendimin

Rasti i Arlindës, nisin procedurat ndaj kryeprokurores dhe prokurores - KPK-ja shqyrton suspendimin

Written by

in

Rasti i Arlindës, nisin procedurat ndaj kryeprokurores dhe prokurores - KPK-ja shqyrton suspendimin

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se kanë nisur procedurat ndaj dy prokuroreve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Në një deklaratë për Klan Kosova, Gashi ka bërë të ditur se ka iniciuar procedurë disiplinore si dhe ka rekomanduar suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.

Ai ka shtuar se çështjet e tjera do të trajtohen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Konfirmoj se kemi nisur procedurat ndaj prokuroreve, çështjet e tjera i përkasin mbledhjes në vijim të Këshillit”, ka deklaruar Gashi për Klan Kosova.

Zhvillimet vijnë pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, rast që ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për llogaridhënie institucionale, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e Arlinda Zekajt.