Revolucioni pa udhëheqës ka përfshirë Serbinë

Revolucioni pa udhëheqës ka përfshirë Serbinë

Written by

in

Nga: Aleksandar Matkoviq / The Guardian (titulli: A leaderless revolution has swept Serbia. The world should be watching)
Përkthimi: Telegrafi.com

Më shumë se një dekadë më parë, themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange, i tha një intervistuesi në Beograd se Serbia ishte “një vend ku e ardhmja ndodh e para”. Kjo frazë qarkulloi gjerësisht në rrjetet sociale serbe gjatë javëve para zgjedhjeve të së dielës, por në një mënyrë që 10 vjet më parë do të dukej e pamundur. Kush do ta kishte përfytyruar atëherë se Serbia e sotme mund të ishte në pararojë të ndryshimit demokratik global?

Pamjet nga Beogradi, të dielën në mbrëmje – njerëz që vallëzonin dhe qanin nëpër rrugë, ndërsa në Novi Sad, qytetin që ia dha shkëndijën lëvizjes studentore, u hoq nga një ndërtesë një flamur me figurën e kriminelit të dënuar të luftës, Vojisllav Sheshel, që kishte qëndruar i varur aty që nga vitet ‘90 të shekullit XX – e përforcuan ndjesinë se e ardhmja vërtet kishte mbërritur.

Duke e parë vendin tim nga jashtë, e pata të vështirë të mos e ndaja entuziazmin dhe emocionin. U përfshiva në lëvizjen studentore që qëndronte pas kësaj tronditjeje zgjedhore dhe, për rreth gjashtë muaj para se të largohesha jashtë vendit, isha kandidat i saj në zgjedhje. Përfshirja ime nisi teksa ligjëroja në Beograd, në fakultetet e bllokuara të universitetit gjatë viteve 2024 dhe 2025. Gjatë këtyre bllokadave të jashtëzakonshme, ndodhi diçka për të cilën mediat perëndimore nuk folën gjerësisht: u shfaq një shkëmbim kolektiv i dijes dhe një proces i formësimit të opinionit që do të bëheshin kyç për rezultatin e së dielës.

Për gati dy vjet, studentët debatuan pothuajse çdo aspekt të ekonomisë dhe shoqërisë së Serbisë – nga nxjerrja e litiumit dhe shfrytëzimi i burimeve deri te fuqia ekonomike e oligarkëve vendas, si dhe çështje të tilla si kujdesi shëndetësor dhe arsimi. Ndonjëherë diskutimet zgjatnin gjashtë orë. E gjithë kjo ndodhi përpara se studentët të hartonin ndonjë program të përbashkët ose të formonin një organizatë të aftë t’i tejkalonte partitë tradicionale liberale. Në njëfarë kuptimi, dija erdhi e para dhe organizimi pasoi.

Prandaj, fitorja në zgjedhjet e së dielës e asaj që u bë Lista Studentore, lindi nga një kulturë e re politike: një lëvizje pa udhëheqës, e bazuar në vetëqeverisje kolektive dhe edukim politik, diçka e paparë në arenën politike serbe që nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Duke pasur parasysh historinë e afërt të Serbisë, si ishte i mundur ky eksperiment i jashtëzakonshëm demokratik? Një përgjigje qëndron në aftësinë e lëvizjes për të bashkuar një gamë të gjerë njerëzish të cilët, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, donin t’i kundërviheshin korrupsionit të perceptuar të Aleksandar Vuçiqit, presidentit autoritar. Me një ekonomi të varur nga investimet e huaja të drejtpërdrejta, pas shkatërrimit të Jugosllavisë, udhëheqja politike krijoi lidhje të ngushta me korporata në pronësi të huaj. Emri i Vuçiqit lidhej shpesh me veprimtarinë e kompanive shumëkombëshe, si Rio Tinto – gjiganti anglo-australian i minierave që kërkonte të nxirrte litiumin e vendit.

Në këtë kontekst, mora kërcënime me vdekje pas botimit të një punimi shkencor, kritik për çështjen e debatueshme të litiumit; shumë prej kolegëve të mi u përballën me frikësime të ngjashme. Por, keqtrajtimi i qytetarëve serbë që kundërshtonin projektet e investimeve në shkallë të gjerë nisi po ashtu të formësonte vetëdijen publike në Serbi. Partia e Vuçiqit u akuzua se rrinte duarkryq, madje edhe se merrte pjesë, ndërsa partitë opozitare ofronin vetëm reagime të vakëta.

Nga këndvështrimi i studentëve, udhëheqësit e partive shiheshin si lehtësisht të korruptueshëm kur përballeshin me fuqinë financiare të projekteve ndërkombëtare. Prandaj, për ta ndryshuar sistemin, duhej të filloje duke ndryshuar strukturat politike që e mundësonin atë.

Në këtë kuptim, këto nuk ishin thjesht zgjedhje të tjera; ishte një përballje monumentale mes së vjetrës që po vdiste dhe së resë që po përpiqej të lindte – për ta perifrazuar Antonio Gramscin. Në Serbi, lëvizja e re ka dalë nga e vjetra: nisi me zënien e fakulteteve, bllokadat dhe kuvendet plenare, përpara se të shndërrohej sot në forcën më të madhe politike në vend.

Duke fituar zgjedhjet parlamentare, Lista Studentore ka thyer monopolin e partive politike. Ajo është bërë më popullore se qeveria e djathtë, si dhe se pothuajse të gjitha partitë opozitare të të gjithë spektrit shumica e të cilave nuk fituan madje as vota të mjaftueshme për të kaluar pragun zgjedhor. Kështu, të paktën në rastin e Serbisë, konfirmohet se “e vjetra” ka vdekur.

Dhe, ajo që zgjodhi populli serb nuk ishte një parti tjetër, por një listë me 250 kandidatë, 134 prej të cilëve kanë doktoratura, 44 për qind janë gra dhe 135-140 prej të cilëve tani parashikohet të hyjnë në Parlament. Pas tyre qëndronte një organizatë ndryshe nga çdo gjë që është parë në partitë politike tradicionale të bazuara tek udhëheqësi. Në këtë mënyrë, “një tufë studentësh”, siç i përshkroi The Economist, ka krijuar diçka që duhet studiuar, sepse shkon përtej mënyrave tradicionale të të bërit politikë.

A do të jetë në gjendje të qeverisë një lëvizje pa udhëheqës? Këtu gjërat ndërlikohen. Në kontekstin e asaj që historiani Adam Tooze e quan “polikriza” e botës, një inteligjencë kolektive e bazuar në vetorganizim mund të jetë përgjigje joshëse. Në fund të fundit, protestat studentore në Francë, Itali dhe Belgjikë, së bashku me protestat në Spanjë dhe Shqipëri, kanë lindur si përgjigje ndaj krizave të ndërthurura të strehimit, arsimit dhe shkatërrimit të mjedisit. Për këto kriza në pjesë të tjera të Evropës, të keqmenaxhuara kaq dukshëm nga qeveritë, mësimet e eksperimentit serb mund të bëhen vendimtare.

Nga ana tjetër, situata nuk duhet idealizuar. Lista përbëhet nga blloqe ideologjikisht të kundërta, nga përkrahës të së djathtës te të majtët dhe liberalët. Shumica e të zgjedhurve nuk kanë mbajtur kurrë më parë poste politike dhe sistemi parlamentar do t’u kërkojë të propozojnë një kryeministër dhe, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, një kandidat për president. A do ta sjellë Lista Studentore të njëjtën energji në Kuvendin Kombëtar pa rrezikuar pikërisht metodën që e bëri kaq të fortë? Për më tepër, për Vuçiqin, humbja e zgjedhjeve nuk do të thotë domosdoshmërisht humbje e sistemit. Përkundrazi, pranimi i humbjes prej tij mund të ketë qenë gjithashtu një lëvizje strategjike që i lejon ta mbajë të paprekur aparatin e partisë për një rikthim.

Çfarëdo që të ndodhë, një pyetje tashmë është shtruar: deri në ç’masë vetorganizimi dhe vendimmarrja e decentralizuar mund të jenë bazë për qeverisje? Për momentin, njerëzit po festojnë në rrugët e Beogradit, Novi Sadit dhe të shumë qyteteve e qytezave të tjera në mbarë Serbinë. Por, lufta e vërtetë sapo ka filluar. Bota duhet të vëzhgojë nga afër: mund të jetë duke parë fillimin e një lloji krejt tjetër politike. /Telegrafi/