Risi në Holandë, zogu bëhet i pari në botë që merr dy sqepa artificialë të printuar në 3D

Risi në Holandë, zogu bëhet i pari në botë që merr dy sqepa artificialë të printuar në 3D

Written by

in

Një zog në kopshtin zoologjik Artis në Amsterdam ka hyrë në histori, pasi është bërë i pari në botë që pajiset me dy proteza të sqepit të prodhuara me teknologjinë e printimit 3D.

Zogu kishte thyer si pjesën e sipërme, ashtu edhe atë të poshtme të sqepit, duke pasur vështirësi në ushqyerje dhe në kujdesin për veten.

Për ta ndihmuar, kopshti zoologjik bashkëpunoi me Departamentin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Utrechtit.

Specialistët projektuan dy proteza plastike duke përdorur pjesët e mbetura të sqepit origjinal dhe skanime të kokës së zogut.

Protezat u vendosën gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe u fiksuan me vida.

Fillimisht, veterinerët kishin frikë se zogu nuk do të përshtatej me sqepat e rinj, por rezultatet ishin inkurajuese.

Që ditën e ndërhyrjes, ai nisi t’i përdorte, ndërsa mëngjesin pasues arriti të kapte një mi nga toka dhe të ushqehej vetë.

Sipas kopshtit zoologjik, raste të zogjve me nga një protezë sqepi janë raportuar edhe më parë, por kjo është hera e parë që një zog pajiset me proteza si për pjesën e sipërme, ashtu edhe për atë të poshtme.

Tani, specialistët po monitorojnë sjelljen dhe përshtatjen e tij, ndërsa kanë përgatitur edhe pjesë rezervë në rast se protezat dëmtohen.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe reagimit të partneres së tij. Kopshti zoologjik shpreson që sqepi i ri ta ndihmojë zogun jo vetëm në ushqyerje, por edhe në ndërveprimin me partneren dhe në kujdesin për të vegjlit në të ardhmen. /Telegrafi/