​Rizvanolli: Bllokimi i linjave nga Serbia i shkaktoi dëme Kosovës dhe rrezikoi furnizimin me energji elektrike

​Rizvanolli: Bllokimi i linjave nga Serbia i shkaktoi dëme Kosovës dhe rrezikoi furnizimin me energji elektrike

Written by

in

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara me origjinë nga Serbia, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se kjo masë vjen si kundërpërgjigje ndaj bllokimit të linjave të transmetimit nga ana e Serbisë.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli ka deklaruar se Serbia, që nga 14 dhjetori i vitit 2020, vazhdon të bllokojë linjat e transmetimit me Kosovën për alokim komercial dhe tregtim të energjisë elektrike, raporton KosovaPress.

Sipas saj, kjo i ka shkaktuar Kosovës dëme të konsiderueshme financiare dhe ka paraqitur rrezik për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Ajo ka theksuar se bllokimi nuk e pengon Kosovën të importojë energji nga Serbia, por pamundëson shfrytëzimin e këtyre linjave për tranzitin e energjisë nga shtetet e tjera.

“Nuk e duam lirimin e linjave me Serbinë për shkak se dëshirojmë të importojmë energji elektrike nga Serbia, mirëpo bllokimi i linjave nga Serbia do të thotë që ato janë të pashfrytëzueshme për ne për tranzit. Kjo do të thotë që energjia elektrike nga shtetet e tjera nuk mund të vijë përmes këtyre linjave, duke përfshirë këtu edhe faktin që vështirësohet shumë ose pamundësohet sjellja e energjisë nga bursa e HUPX-it, që është një ndër bursat më likuide të rajonit. Pas shumë përpjekjeve tona dhe pas një ankese zyrtare që KOSTT-i ka bërë në vitin 2021 në Komunitetin e Energjisë, më në fund Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë, në dhjetor të vitit 2025, e ka konstatuar, e ka vërtetuar këtë shkelje të traktatit dhe të ligjit nga ana e Serbisë dhe e ka detyruar Serbinë që deri më 1 korrik të vitit 2026 t’i lirojë linjat për tregtim. Asgjë nuk ka ndodhur deri më 1 korrik”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ministrja ka thënë se kjo situatë vështirëson edhe sjelljen e energjisë elektrike nga bursa hungareze HUPX, njëra ndër bursat më likuide të rajonit.

Rizvanolli ka rikujtuar se KOSTT-i kishte paraqitur ankesë zyrtare në Komunitetin e Energjisë në vitin 2021, ndërsa në dhjetor të vitit 2025, Këshilli i Ministrave i këtij komuniteti kishte konstatuar shkeljen e traktatit nga Serbia dhe i kishte kërkuar lirimin e linjave deri më 1 korrik 2026.

Megjithatë, sipas saj, ky afat nuk është respektuar.

“Për këtë arsye, më 11 nëntor i jam drejtuar ministres së Ndërmarrësisë, Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit, zonjës Mimoza Kusari-Lila, që ta shqyrtojë këtë çështje dhe masat tregtare si kundërmasa ndaj Serbisë për shkak të bllokimit të linjave. Falënderoj MINT për reagimin të shpejtë, që pas shqyrtimit të dokumentacionit që ia kemi ofruar, duke përfshirë këtu edhe raportet e ZRRE-së dhe KOSTT-it, sot ka propozuar vendimin që e morëm, pra që ndalohet tregtimi i energjisë elektrike me kompani serbe duke përfshirë këtu kompanitë serbe që kanë kompaninë amë, ose që kanë lidhje, aksionarë me lidhje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta me shtetas serbë”, ka nënvizuar Rizvanolli.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.

Në mbledhjen e Qeverisë, Albin Kurti tha se ky vendim vjen si përgjigje ndaj bllokimit të dy linjave të interkoneksionit prej 400 kilovoltësh nga Serbia, të cilat, sipas tij, pamundësojnë tranzitin e energjisë elektrike nga shtetet e tjera drejt Kosovës. /Kp/