
Një helikopter ushtarak italian i tipit CH-47, i angazhuar në misionin paqeruajtës të Bashkimit Evropian, EUFOR Althea, është rrëzuar pasditen e së enjtes në zonën e Brçkos, në Bosnjë-Hercegovinë.
Sipas bilancit paraprak të bërë të ditur nga kryetari i qytetit të Brçkos, Siniša Milić, nga aksidenti raportohet për tre persona të vdekur dhe 12 të plagosur.
Komanda e EUFOR-it ka konfirmuar se disa pjesëtarë të misionit kanë humbur jetën, ndërsa të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Identiteti i viktimave dhe i të lënduarve, si dhe rrethanat e sakta të aksidentit, pritet të bëhen të ditura pas verifikimeve zyrtare.
Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, ndërsa Ministria italiane e Mbrojtjes nuk ka dhënë ende hollësi të tjera për gjendjen e personelit që ndodhej në bord.
Ndërkohë, EUFOR ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit të helikopterit, i cili ndodhi në verilindje të Bosnjë-Hercegovinës.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, kanë shprehur ngushëllimet për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre dhe personelin e forcave të armatosura.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali