
Tetë pjesëtarë të ushtrisë kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri në një zonë të largët të Perusë, e njohur për kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Ngjarja ka ndodhur pranë qytezës Sanabamba, në luginën e lumenjve Apurimac, Ene dhe Mantaro (VRAEM), ku helikopteri ishte nisur në një mision për evakuimin e një patrulle ushtarake.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Perusë, piloti ishte i vetmi i mbijetuar nga aksidenti, ndërsa shkaku i rrëzimit ende nuk është bërë i ditur.
Ai është identifikuar si Enzo Espinoza Roque dhe është transportuar drejt kryeqytetit Lima, ku do të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Helikopteri ishte raportuar i zhdukur të enjten në mbrëmje, pasi kishte shpëtuar tre pjesëtarë të ushtrisë. Pas operacioneve të kërkim-shpëtimit, autoritetet arritën të lokalizonin mjetin fluturues dhe personat që ndodheshin në bord.
Zona e VRAEM-it njihet edhe si “Lugina e Kokainës”, pasi është rajoni më i madh në Peru për kultivimin e bimës së kokës. Në këtë territor veprojnë grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës, si dhe mbetje të ish-organizatës rebele “Shtegu i Ndritshëm”.
Komanda e Përbashkët e Forcave të Armatosura të Perusë ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe bashkëluftëtarët e viktimave.
Ky është rasti i dytë i rëndë me helikopter në Peru gjatë këtij viti. Në muajin shkurt, një helikopter i tipit MI-17 u rrëzua në jug të vendit, duke shkaktuar vdekjen e të 15 personave që ndodheshin në bord.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali