Një politikë më e fortë e akcizës mund të kontribuojë në uljen e pirjes së duhanit dhe rritjen e të ardhurave buxhetore, tregojnë të dhënat e modelimit ekonomik të “Analitika” për vitet 2026–2030, i cili u prezantua në konferencën kombëtare “Nga të dhënat te politikat: Si të ulet kostoja e pirjes së duhanit?” në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Sipas analizës, standardet minimale aktuale të akcizës së BE-së nuk do të ishin të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm pirjen e duhanit. Një rritje vjetore e akcizës specifike prej 15% mund ta ulë prevalencën e pirjes së duhanit në rreth 46.1% deri në vitin 2030, me të ardhura totale tatimore të parashikuara prej rreth 542 milionë eurosh. Me një rritje vjetore prej 18%, prevalenca do të ulej në rreth 45%, ndërsa të ardhurat do të arrinin rreth 573 milionë euro. Skenari më ambicioz i analizuar parashikon një ulje të prevalencës në rreth 44%, me të ardhura totale tatimore të parashikuara prej rreth 602 milionë eurosh deri në vitin 2030.
Nevoja për një politikë më efektive të akcizës konfirmohet nga rezultatet e anketës së fundit kombëtare nga Analitika, të kryer me 1.065 të rritur. Edhe pse çmimi mesatar i një pakete cigaresh klasike u rrit nga 1.73 në 2.72 euro, pagat u rritën ndjeshëm më shpejt. Krahasuar me vitin 2020, çmimet e cigareve u rritën me 57.6%, ndërsa pagat mesatare neto u rritën me 90.4%. Si rezultat, çmimi i një pakoje cigaresh si pjesë e pagës mesatare u ul me 17.3%, që do të thotë se cigaret janë bërë më të përballueshme.
Këto të dhëna tregojnë se vetëm rritjet e çmimeve nuk janë të mjaftueshme nëse nuk e zvogëlojnë përballueshmërinë reale ekonomike të produkteve të duhanit.
“Analiza thekson nevojën për tre masa prioritare: Rritje të parashikueshme dhe më të forta të akcizave, ndjekja e inflacionit, rritja e pagave dhe përballueshmëria reale e cigareve; Forcimi i parandalimit dhe mbështetjes për lënien e duhanit, veçanërisht tek të rinjtë dhe grupet vulnerabël; Zbatimi i vazhdueshëm i ndalimit të pirjes së duhanit në hapësirat publike të mbyllura dhe kontrolli i shitjeve tek të miturit”, thonë nga atje./Telegrafi/