Russell Brand rrezikon të humbasë miliona euro pas shpalljes fajtor për përdhunim dhe sulme seksuale

Russell Brand rrezikon të humbasë miliona euro pas shpalljes fajtor për përdhunim dhe sulme seksuale

Written by

in

Aktori dhe komediani britanik, Russell Brand (51), është shpallur fajtor të enjten nga Gjykata Southwark Crown në Londër për një rast përdhunimi dhe tri sulme seksuale.

Dënimi i tij ende nuk është bërë publik dhe pritet të caktohet në ditët në vijim. Deri atëherë, aktori do të qëndrojë në paraburgim.

Përveç mundësisë së një dënimi me disa vite burg, Brand përballet edhe me pasoja të konsiderueshme financiare. Sipas mediave të huaja, përfshirë “The Guardian”, edhe gra të tjera mund të ngrenë padi civile ndaj tij, duke kërkuar kompensim për dëmet e pretenduara.

Pasuria e tij vlerësohet në rreth 17 milionë euro, ndonëse kjo shifër nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ajo mund të pësojë një rënie të konsiderueshme nëse ndaj tij ngrihen padi të tjera civile.

Një grua tashmë po kërkon deri në 120 mijë euro dëmshpërblim përmes një padie të ngritur në Gjykatën e Lartë në Londër, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është paraqitur edhe një tjetër padi kundër aktorit.

Pritet që edhe gra të tjera të mund të ndërmarrin veprime të ngjashme ligjore.

Foto: EPA

Paditësja në Londër e akuzon Brandin se e ka sulmuar seksualisht në vitin 2008, në vilën e tij në Los Angeles.

Sipas dokumenteve gjyqësore, të cilat janë parë nga “The Guardian”, aktori dyshohet se ia ka hequr me forcë rrobat dhe të brendshmet, përpara se ta shtynte në shtrat. Më pas, sipas pretendimeve të saj, ai është përpjekur të kryejë seks oral ndaj saj pa pëlqimin e saj.

Gruaja ka deklaruar se kishte arritur të largohej nga situata, ndërsa më vonë ishte diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD).

Padinë ajo e kishte ngritur që në vitin 2025. Që atëherë, Russell Brand e kishte cilësuar atë si një person “thellësisht të pandershëm”.

Procedura gjyqësore lidhur me këtë padi ishte pezulluar gjatë zhvillimit të procesit aktual penal, pasi incidenti i pretenduar kishte ndodhur jashtë juridiksionit të gjykatave penale angleze. Kjo grua nuk ishte në mesin e katër paditëseve në procesin penal ndaj aktorit.

Nuk dihet saktësisht se sa është pasuria që Russell Brand zotëron aktualisht dhe sa prej saj është në dispozicion të tij.

Gjatë karrierës së tij, ai ka siguruar të ardhura nga komedia, televizioni, radioja, filmat e Hollywood-it, librat dhe përmbajtjet e publikuara në internet.

Në shtator të vitit 2023, YouTube ia ndërpreu mundësinë e fitimit të të ardhurave nga platforma. Në atë kohë, “Daily Mail” vlerësonte se Brand fitonte rreth një milion euro në vit vetëm nga YouTube.

Ndërkohë, policia e Londrës (Metropolitan Police) po vazhdon hetimet edhe për dy akuza të tjera për përdhunim ndaj tij. Dokumentacioni lidhur me këto raste tashmë i është dorëzuar Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës në Britani (Crown Prosecution Service). /Telegrafi/