Rekomandimi për suspendim të Drejtorit të Prokurimit, flet Fejza

Rekomandimi për suspendim të Drejtorit të Prokurimit, flet Fejza

Written by

in

Dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale është veç një nga keqpërdorimet për të cilat po dyshohet.

Kësisoj, mbi dyshimet se keqpërdori detyrën zyrtare, Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e Drejtorit të Prokurimit, Artan Fejzës.

Ky i fundit për Dukagjinin dha një qëndrim.

“Për këtë çështje drejtohuni tek IPK sepse ata e kanë kërku suspendimin”, u shpreh Fejza.

Por, nëse hetimet vërtetojnë që janë kryer veprat për të cilat Fejza dyshohet, cilat janë dëmet që i shkaktohen PK-së?

‘Natyrisht që në aspektin material të dëmtimit të buxhetit të saj por mbi të gjitha në dëmtim të imazhit e që është i pariparueshëm sepse tashmë po e shohim që ka mungesë të uniformave, kapelave të logjistikës, mungesë të antiplumbave”, u shpreh ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Hoxha pati një rekomandim.

“Duhet një hetim i plotë gjithëpërfshirës dhe një inspektim i jashtëzakonshëm në këtë procedura prokurimit me qëllim daljen e rekomandimeve konkrete dhe gjithashtu duhet të ketë shumë kujdes në emërimin e këtyre pozitave”, u shpreh Hoxha.

Ndërkohë nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë thënë përmes telefonit që momentalisht nuk mund të ndajnë informacione për shkak të hetimeve.

Televizioni pyeti edhe Policinë për nëse keqpërdorimi i pozitës ndërlidhet me mungesën e uniformave dhe tenderët për këtë, por ata nuk kthyen përgjigje.

Së fundmi u bë publik një mesazh i brendshëm ku policëve aktual u kërkohej që t’i japin kapelat e tyre në shfrytëzim për diplomimin e gjeneratës së re të Policisë së Kosovës, meqenëse nuk ishte arritur t’u sigurohen as uniformat.

Burimi: Dukagjini