
Dy ditë të Samitit të Madh të liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Unionit, rezultuan me konkluza kyçe për rrugën përpara.
Kjo sidomos në procesin e zgjerimit të BE-së, me gjashtë vendet e Ballkanit, Ukrainën e Moldavinë, raporton Klan Kosova.
Në kuadër të kësaj theksohet mes tjerash rëndësia e investimit gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet e përparim. Thuhet se si shtetet e ardhshme anëtare, ashtu edhe vetë BE-ja, duhet të jenë të përgatitura në momentin e anëtarësimit.
Ritheksohet se procesi bazohet në merita dhe se çdo vend përparon në negociatat e anëtarësimit në bazë të progresit të tij individual.
Kur në Bruksel flitet aq shumë për zgjerim, nga kryeqyteti i BE-së në kryeqytetin kosovar erdhi këtë të premte një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian.
Si folës në Samitin e Paqes dhe Demokracisë, ai tha se Unioni po shqyrton ndryshime në procesin e zgjerimit dhe kishte një thirrje konkrete për Qeverinë e Kosovës.
Nga të gjitha vendet e rajonit, vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat. E kryeministri austriak, Christian Stocker, po thotë se nuk duhet harruar e kaluara e vendeve ballkanike që synojnë hyrjen në Bashkim Evropian.
Kurse kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz pohoi se BE-ja është e hapur për zgjerim, me të gjitha shtetet në Evropë që duan të bashkohen, por duke i përmbushur kushtet.
Për më shumë ndiqeni kronikën më poshtë: