
Samsung po përgatitet të prezantojë telefonin e ri të palosshëm Galaxy W27 më 29 tetor, një pajisje që pritet të kombinojë dizajnin luksoz me specifika të avancuara teknologjike.
Sipas informacioneve të publikuara deri më tani, modeli i ri pritet të bazohet në Galaxy Z Fold 8 Ultra dhe të dallohet nga dizajni elegant, me ngjyrë të kaltër dhe detaje të arta.
Informatori i njohur i teknologjisë, Ice Universe, ka bërë të ditur se Galaxy W27 mund të pajiset me procesorin Snapdragon 8 Elite Gen 5, deri në 16 GB RAM dhe hapësirë ruajtjeje deri në 1 TB.
Sa i përket kamerave, telefoni pritet të ketë një sensor kryesor prej 200 megapikselësh, ndërsa bateria mund të jetë me kapacitet prej 5,000 mAh dhe të mbështesë karikimin me kabllo prej 45 W.
Galaxy W27 pritet të vazhdojë traditën e Samsung për prodhimin e telefonave të palosshëm të segmentit premium, të dedikuar kryesisht për tregun kinez.
Megjithatë, specifikat e përmendura ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga kompania. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse pajisja do të jetë e disponueshme edhe në tregjet jashtë Kinës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali