Në një reagim të publikuar para zgjedhjeve të së dielës, Stojkoviq ka përmendur disa ish-drejtues të Listës Serbe, përfshirë Vladeta Kostiqin, Aleksandar Jabllanoviqin dhe Goran Rakiqin, si dhe kryetarin aktual, Zlatan Elekun.
Reagimi i plotë i Stojkoviqit:
SERBËT NGA KOSOVA PARA ZGJEDHJEVE TË SË DIELËS:
— Të gjithë ata që i nxitën të votonin për „Listën Serbe” të Vuçiqit (për zgjedhjet në Kosovë) ose për SNS-në (për zgjedhjet në Serbi), janë larguar nga Kosova dhe janë vendosur në banesa luksoze, jashtëzakonisht të shtrenjta, në lagjen „Beograd na vodi”, ndërsa ata i kanë lënë në varfëri.
Ja lista:
Vladeta Kostiq: Vuçiqi e vendosi në krye të Listës Serbe në vitet 2013–2014. Vladeta bërtiste se „serbët duhet të qëndrojnë në Kosovë”, por më pas u zhvendos me familjen e tij dhe u bë deputet në Kuvendin Popullor të Serbisë, në Beograd.
Vladeta i gëzon të gjitha privilegjet dhe mundësitë që ofron Beogradi. As që i shkon ndërmend t’i ndihmojë serbët e tjerë nga Kosova që të zhvendosen në Beograd, ashtu siç bëri ai, e lëre më t’u sigurojë një banesë në „Beograd na vodi”. Sepse ata janë serbë të tjerë.
Nga pronat luksoze në Beograd, Vladeta bërtet: „Ju, serbë, duhet të qëndroni në Kosovë”.
Aleksandar Jabllanoviq – kryetar i Listës Serbe i vendosur nga Vuçiqi në vitet 2015–2017. Më pas, Vuçiqi e emëroi sekretar shtetëror në Ministrinë e Punës, kështu që edhe Jabllanoviqi u zhvendos në Beograd për ta shijuar jetën, qendrat tregtare, restorantet dhe për t’i pasur fëmijët pranë universiteteve etj.
Vëllai i Jabllanoviqit, Marko Jabllanoviq, u arrestua në vitin 2017 për trafikim droge. Në vitin 2024, ai u dënua me gjashtë vjet burg.
Çfarë mendoni, a merrte kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviqi, para nga vëllai i tij Marko dhe a i shpenzonte kryetari i Listës Serbe paratë e Markos nëpër Beograd? A e ndihmonte Lista Serbe në këtë?
Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe i vendosur nga Vuçiqi në vitet 2017–2023, e më pas edhe ai bëhet deputet në Kuvendin Popullor në Beograd, në radhët e SNS-së. E gjithë familja e Rakiqit i gëzon të mirat që ofron Beogradi: Ada, kinematë, restorantet e shtrenjta – të gjitha këto Rakiqi i shijon me kënaqësi, ndërsa nga atje i nxit serbët nga Kosova të përplasen me autoritetet e Kosovës.
Për Rakiqin është e lehtë ta bëjë këtë – ai është deputet në Beograd.
Të theksojmë se Rakiqi ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e Albin Kurtit dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa tani është deputet në Serbi.
Goran Rakiqi ka bërë tri betime:
Betimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës se do ta ruajë pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial;
Betimin ndaj Albin Kurtit se do ta ruajë qeverinë e tij dhe do ta zbatojë politikën e tij;
Betimin si deputet i SNS-së në Beograd se do ta ruajë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.
Rakiqi mund t’i bëjë të gjitha.
Cilit Rakiq i besojnë serbët nga Kosova?
Zlatan Elek – kur mori vesh se të gjithë kryetarët e Listës Serbe, pas një kohe, zhvendosen lehtësisht në Beograd me familjet e tyre, ai e pranoi menjëherë propozimin e Vuçiqit që të bëhej edhe vetë kryetar i Listës Serbe. Kjo ndodhi në vitin 2023.
Në vitin 2026, Eleku deklaron se është bërë anëtar i SNS-së – dhe kjo do të thotë vetëm një gjë: Vuçiqi tashmë ia ka siguruar zhvendosjen në Beograd, gjë që pritet të ndodhë.
Asgjë ndryshe nuk ndodh as me nënkryetarët e Listës Serbe.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, gjithashtu nuk jeton në Kosovë. E gjithë familja e tij jeton në Serbi. E gjithë familja e gjerë. Prandaj ai mund t’i nxiste serbët në Kosovë të votonin për Listën Serbe dhe më pas të përplaseshin me forcat ndërkombëtare dhe Policinë e Kosovës.
Lista Serbe, të cilën e formoi Aleksandar Vuçiqi për të manipuluar serbët nga Kosova, është thjesht një bojler kalimtar, përmes të cilit udhëheqja e kësaj liste zhvendoset lehtësisht në Beograd.
Burimi: RTKLive
