
Lista Studentore do ta vazhdojë dialogun me Kosovën, të zhvilluar gjatë qeverisjes së mëparshme. Kjo nënkupton edhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, thotë Illija Sërdanoviq, i pari në listën që fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Sërdanoviq thotë se pushteti i ri do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.
Kjo vlen për marrëveshjet politike, ndërsa sa u përket kontratave me kompanitë e huaja për investime në Serbi, ato do të respektohen “nëse janë në përputhje me sistemin juridik të Serbisë dhe aktet ndërkombëtare”.
Sërdanoviq thekson, gjithashtu, se Serbia do ta vazhdojë procesin e integrimit evropian dhe se do të bëhet gjithçka që qytetarët të informohen për përfitimet që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ai përsërit thirrjen për shmangien e çdo forme revanshizmi në Serbi, dhe thotë se përgjegjësinë për gjendjen aktuale të sigurisë e mban Qeveria në largim, e cila është në detyrë.
Sërdanoviq ishte i pari në Listën Studentore, i zgjedhur përmes vendimeve të plenumeve të fakulteteve në Serbi. Strategjia e kësaj lëvizjeje, e cila doli nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe në mbështetje të sundimit të ligjit, ishte organizimi pa një udhëheqës të vetëm.
Pas fitores bindëse ndaj forcave të Aleksandar Vuçiqit, të cilat qeverisën Serbinë për 14 vjet, shtrohet edhe pyetja se kush do të jetë kandidati i Listës Studentore për kryeministër.