Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, po merr pjesë në Konferencën e Dytë Globale Ministrore për Eliminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve, që po mbahet në Manila të Filipineve, me pjesëmarrjen e ministrave nga 131 shtete, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, ekspertëve dhe organizatave nga e gjithë bota.
Siç bëri të ditur Ministria e Drejtësisë, konferenca organizohet nga Qeveria e Filipineve, në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-in, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e zgjidhjeve konkrete për parandalimin dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve.
Në kuadër të konferencës, ministri Shasivari mori pjesë në diskutimin “Europe: Shared Challenges, Shared Solutions”, kushtuar sfidave të përbashkëta në parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe mundësive për tejkalimin e tyre përmes zgjidhjeve të koordinuara.
Në fjalimin e tij, ministri ka theksuar tri sfida thelbësore: përhapjen e formave të reja të dhunës përmes teknologjive digjitale, zbatimin jo të njëtrajtshëm të garancive ekzistuese ligjore dhe koordinimin e pamjaftueshëm ndërmjet institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rreziqeve që sjell zhvillimi i përshpejtuar teknologjik. Platformat digjitale krijojnë mundësi të reja për abuzim, shfrytëzim seksual, ngacmim dhe përhapje të përmbajtjeve të dëmshme, ndërsa dhuna mund të vazhdojë edhe jashtë shkollës, familjes apo mjedisit ku jeton fëmija. Këto dukuri kërkojnë zgjidhje bashkëkohore ligjore, mekanizma më efikasë të raportimit, kapacitete të specializuara hetimore dhe përgjegjësi më të madhe nga platformat digjitale.
“Në këtë drejtim, ministri informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, si palë e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Seksual dhe Abuzimi Seksual, e njohur si Konventa e Lanzarotës, po ndërmerr aktivitete për harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit penal me standardet ndërkombëtare”, qëndron në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.
Nga atje shtojnë se përgatitja e Kodit të ri Penal paraqet mundësi për mbylljen e zbrazëtirave ekzistuese ligjore në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në hapësirën digjitale. Një nga zotimet e paraqitura në konferencë ka të bëjë pikërisht me ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit penal dhe atij përkatës, me theks të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve të moshës 14 deri në 17 vjeç nga dhuna në internet dhe shfrytëzimi seksual.
Krahas ndryshimeve ligjore, u theksua edhe nevoja për rritjen e njohurive digjitale te fëmijët, prindërit, mësimdhënësit dhe profesionistët që punojnë me fëmijë, si dhe për vendosjen e mekanizmave të qasshëm dhe të sigurt për raportimin e abuzimeve. Parandalimi kërkon gjithashtu bashkëpunim me kompanitë teknologjike për identifikimin dhe largimin në kohë të përmbajtjeve që paraqesin abuzim ndaj fëmijëve.
Sfida e dytë që trajtoi ministri lidhet me dallimin ndërmjet mbrojtjes së parashikuar me ligj dhe zbatimit të saj në praktikë. Në fjalim u përmendën gjetjet e hulumtimit “Disrupting Harm”, të cilat evidentojnë mungesën e personelit të mjaftueshëm, ngarkesën e madhe me lëndë, procedurat e zgjatura dhe rastet kur fëmijët u nënshtrohen intervistimeve të përsëritura përpara institucioneve të ndryshme.
Për tejkalimin e këtyre dobësive, nevojitet vendosja e protokolleve të standardizuara për intervistimin e fëmijëve, angazhimi i profesionistëve të specializuar, përcaktimi i afateve të qarta për trajtimin e lëndëve që përfshijnë fëmijë dhe zhvillimi i shërbimeve të integruara, përmes të cilave fëmija mund ta raportojë dhunën në një mjedis të sigurt, pa qenë i detyruar ta përsërisë në mënyrë të panevojshme përvojën traumatike.
Ministri iu referua edhe Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët, të miratuar në vitin 2024, i cili parasheh garanci të veçanta procedurale, mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijës dhe vlerësimin individual të nevojave të fëmijëve viktima. Ligji e përcakton privimin nga liria si masë të fundit, garanton të drejtën e fëmijës për t’u informuar për të drejtat e tij dhe parasheh shoqërimin nga prindi, kujdestari ose një person tjetër i rritur i caktuar gjatë marrjes në pyetje.
Rëndësi të veçantë kanë dispozitat që synojnë parandalimin e viktimizimit dytësor, përfshirë kufizimin e ekzaminimeve mjekësore vetëm në rastet kur ato janë të domosdoshme për procedurën penale, si dhe zbatimin e masave të veçanta të mbrojtjes procedurale sipas nevojave individuale të fëmijës.
“Sfida e tretë lidhet me koordinimin institucional. Ministri theksoi se mbrojtja e fëmijëve nuk mund të jetë efikase nëse institucionet arsimore, shërbimet shëndetësore, qendrat për punë sociale, policia dhe organet e drejtësisë veprojnë të izoluara, pa detyrime të përcaktuara qartë dhe mekanizma për ndjekjen e çdo rasti të raportuar”, theksohet në komunikatë.
Në këtë drejtim, u theksua nevoja për caktimin e personave përgjegjës për koordinimin e rasteve, procedura dhe afate të qarta për veprimin institucional, trajnime të përbashkëta, shkëmbim të sigurt të informacioneve dhe mbikëqyrje të pavarur mbi zbatimin e masave mbrojtëse.
Në fjalim u theksua se efikasiteti i vërtetë i sistemit nuk vlerësohet vetëm nga respektimi i procedurave formale nga institucionet, por nga fakti nëse fëmija ka marrë mbrojtje në kohë, nëse është parandaluar përsëritja e dhunës dhe nëse i është siguruar mbështetja e nevojshme, shtojnë nga Ministria e Drejtësisë.