
Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë kryer të martën sulme të reja ndaj një lokacioni për lëshimin e raketave iraniane në ishullin Qeshm, duke i cilësuar ato si veprime në kuadër të vetëmbrojtjes.
Sipas një zyrtari ushtarak amerikan, avionët luftarakë të ShBA-së kanë përdorur municione precize për të goditur objektivin, në përgjigje të asaj që Uashingtoni e cilëson si agresion të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ndaj personelit dhe aseteve amerikane.
“Sulmi ishte në përgjigje të agresionit të IRGC-së ndaj personelit dhe aseteve amerikane”, deklaroi zyrtari amerikan.
Sipas CNN, Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) ka bërë të ditur se mbetet në gatishmëri të lartë për të mbrojtur qytetarët amerikanë në të gjithë rajonin.
Edhe mediat shtetërore iraniane raportuan për një sulm në periferi të një qyteti në ishullin Qeshm. Megjithatë, zëvendësguvernatori i provincës Hormozgan për çështje politike dhe të sigurisë, Ahmad Nafisi, deklaroi se nga goditja nuk janë dëmtuar infrastruktura jetike, objektet tregtare apo zonat e banimit.
Sulmet e së martës ngjajnë me goditjet e tjera të kryera nga ShBA-ja javët e fundit në zonën përreth Ngushticës së Hormuzit, të cilat autoritetet amerikane i kanë cilësuar si operacione mbrojtëse.
Ndërkohë, një grup i tretë sulmues i aeroplanmbajtësve amerikanë ka hyrë së fundmi në zonën e përgjegjësisë së CENTCOM-it. Ai pritet t’u bashkohet përkohësisht operacioneve që përfshijnë bllokadën e porteve iraniane dhe shoqërimin e anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. /Klankosova.tv