Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme të kufizuara ndaj ishullit Qeshm të Iranit të hënën në mbrëmje, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Sulmet, të cilat janë cilësuar si “mbrojtëse”, kanë pasur në shënjestër sistemet e raketave tokë-ajër që përdoreshin kundër aseteve amerikane, raportuan The Wall Street Journal, Reuters dhe Associated Press.
Megjithatë, sipas raportimeve, sulmet nuk konsiderohen si sinjal për rifillimin e një fushate të gjerë ushtarake kundër Iranit.
Lajmi për sulmet u bë publik disa orë pasi zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se ishte optimist për përparimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
“Presidenti dhe unë ndihemi mjaft mirë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përmes negociatave. Kemi bërë padyshim disa përparime. Do të shohim nëse mund të bëjmë edhe më shumë”, tha Vance.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se të hënën në mbrëmje janë dëgjuar disa shpërthime në ishullin Qeshm, por shkaku i tyre fillimisht nuk ishte i qartë.
Sipas The Wall Street Journal, administrata e presidentit Donald Trump ka kryer edhe sulme të tjera në shkallë më të vogël ndaj Iranit gjatë javëve të fundit, të cilat nuk janë bërë publike. Këto sulme, sipas gazetës, janë mbajtur qëllimisht të fshehta për të shmangur përshtypjen se SHBA-ja po përgatitet të rifillojë fushatën ushtarake.
Ishulli Qeshm ndodhet në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike për transportin detar dhe atë të naftës. Gjatë luftës, Irani e ka përdorur këtë zonë për sulme ndaj anijeve që kalojnë nëpër ngushticë.
Edhe pse sulmet kanë pushuar gjatë javëve të fundit, Irani ka vazhduar të zbatojë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, duke shënjestruar cisternat e naftës, anijet me kontejnerë dhe mjetet e tjera lundruese që tentojnë të kalojnë nëpër të.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte sulmi i parë i bërë publik nga SHBA-ja ndaj Iranit pas disa javësh.
Zhvillimet vijnë në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat mbahen të martën. Partia Republikane e Trumpit pritet të përballet me pakënaqësinë e votuesve për shkak të ndikimit të luftës në koston e jetesës, veçanërisht rritjes së çmimeve të karburanteve.
Trump, në një intervistë për Fox News, ka minimizuar ndikimin e konfliktit, duke thënë se aktualisht nuk ka luftë aktive dhe se ekziston një mundësi e mirë për arritjen e marrëveshjes me Iranin.
Megjithatë, ai paralajmëroi se SHBA-ja mund të detyrohet të sulmojë edhe objektin e njohur si “Mali Pickaxe”, një strukturë e fortifikuar nëntokësore në Iran, që dyshohet se përdoret si objekt bërthamor.
Trump tha se një sulm i tillë nuk do të ishte “ndonjë punë e madhe” dhe se mund të realizohej brenda një ore.
Në fjalimin e tij përmbyllës të fushatës zgjedhore në Washington, presidenti amerikan gjithashtu vlerësoi rënien e ndjeshme të çmimeve të naftës, ndërsa administrata e tij po promovon përpjekjet e reja diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Rritja e çmimeve të benzinës, si pasojë e konfliktit, është shndërruar në një nga çështjet kryesore të zgjedhjeve të mesmandatit.
Burimi: Dukagjini
