Një krim i rëndë në trafik në Kosovë konsiderohet kundërvajtje, ndërsa në Zvicër delinkuenti do të rrezikonte burgimin dhe konfiskimin e veturës. Qe një ide për ndonjë deputet që të iniciojë ndryshimin dhe ashpërsimin e ligjit mbi rregullat e trafikut rrugor.
Më tërhoqi vëmendjen një lajm i botuar në platformën kallxo.com: “Policia e Kosovës ka njoftuar se më 01.11.2026 ka identifikuar personin që është incizuar duke e drejtuar veturën në shpejtësi prej 170 km/h në rrugën ‘Vëllëzërit Gërvalla’ në Ferizaj, ku shpejtësia e kufizuar është 40 km/h.
Sipas Policisë, shoferi është 19-vjeçari R.T., i cili po e voziste veturën e tipit BMW pa patentë shoferi. Policia ka njoftuar se kundërvajtja është zbuluar pasi 19-vjeçari kishte publikuar në rrjetet sociale videon ku shihej duke vozitur. ‘Ndaj tij policia ka ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore dhe ka iniciuar një kundërvajtje për gjykatë’, thuhet në njoftimin e Policisë”.
Fjala që duhet të shqetësojë çdo njeri në Kosovë pas këtij lajmi është fjala “kundërvajtje”. Si është e mundur që ky krim kaq i rëndë i një drejtuesi të automjetit të trajtohet si kundërvajtje? Si? Një zonë me shpejtësi të kufizuar prej 40 kilometrash në orë është zonë e banuar, me këmbësorë, me fëmijë, me prindër që shtyjnë karroca me foshnja, me të moshuar që kanë mobilitet të kufizuar. Dhe vjen hajvani, pa patentë shoferi, me 170 kilometra në orë. 170! Vetëm një fat i madh i ka shpëtuar njerëzit në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj nga një masakër. Por policia dhe gjyqësia jonë e dashur e trajton këtë rast si kundërvajtje, jo si vepër të rëndë penale.
Nga njoftimi nuk kuptohet se çfarë pasojash ka pasur për shoferin pa patentë sjellja e tij. Kundërvajtje domethënë shkelje e lehtë, që i bie se huligani në timon është kthyer në shtëpi pa therë në këmbë dhe pret ndonjë gjobë nga policia. Patentën nuk mund t’ia marrin, se nuk e ka.
Po të ndodhte kjo në Zvicër, masat do të ishin dukshëm më drakonike. Një 19-vjeçar që vozit me 170 kilometra në orë në një zonë ku kufiri është 40 kilometra në orë dhe nuk ka fare patentë do të rrezikonte burgimin, konfiskimin e veturës dhe ndalimin për ta marrë patentën. Mungesa e patentës do të përbënte një vepër penale më vete, krahas shpejtësisë ekstreme. Në raste të shkeljes së rëndë të rregullave të trafikut, vetura do të trajtohej si armë. Gjykata mund të urdhërojë konfiskimin kur plotësohen dy kushte: a) me veturën është kryer një shkelje e rëndë e rregullave të trafikut në mënyrë të paskrupullt; b) konfiskimi mund ta pengojë autorin të kryejë shkelje të tjera të rënda.
Ky rast do të duhej t’i alarmonte deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata, ose së paku disa prej tyre, mund të dalin e të flasin publikisht për problemin e shoferëve të papërgjegjshëm në trafik. Dhe mund të nisin procedurat për ndryshimin dhe ashpërsimin e ligjit mbi rregullat e trafikut rrugor.
Gjendja në rrugët e Kosovës është alarmante. Kosova ka 70 të vdekur në trafik për 1 milion banorë (një përllogaritje bazuar në 111 viktimat e raportuara nga Policia e Kosovës për vitin 2025 dhe në popullsinë prej rreth 1,577 milionë banorësh). Mesatarja e BE-së është 43 të vdekur në trafik për 1 milion banorë. Në Zvicër janë 23 për 1 milion banorë, në Suedi 19. Kjo nënkupton se norma e Kosovës është afërsisht 63 për qind mbi mesataren e BE-së. Në krahasim me Zvicrën, norma e vdekjeve në trafik në Kosovë është rreth 201 për qind më e lartë.
Në vitin 2025, sipas Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i aksidenteve u rrit nga 22’604 në 24’150, ose me 6,83 për qind; jetën e humbën 111 persona, që përbën rritje prej 14,43 për qind; u lënduan 16’681 persona, ose 9,10 për qind më shumë se në vitin 2024.
Gjetja e këtyre të dhënave nuk është ndonjë vepër heroike. Janë publike dhe gjenden në raportin vjetor të Policisë së Kosovës për vitin 2025. Raporti është në internet, vetëm se kjo çështje nuk i ka bërë përshtypje asnjërit prej 120 deputetëve. Nuk kam asnjë iluzion se ndonjëri prej tyre do ta lexojë këtë tekst. Mjafton t’ua shikosh postimet në rrjetet sociale. Merren me “tema të mëdha”, larg realitetit të njerëzve normalë. Shiten mirë edhe patriotizmi bosh, ndonjë përrallë për heroizma në luftë dhe kërcënimet e përbetimet “kundër Serbisë”.
Nga secili deputet, qytetarët e Kosovës presin punë, angazhim, ekspertizë, lexim të projektligjeve, përgatitje të ndryshimeve, pjesëmarrje aktive në punën e komisioneve parlamentare, dëgjim dhe peshim të argumenteve, kontribut për ligje të mira dhe fjalime që përmirësojnë debatin publik. Si anëtar i një komisioni, deputeti merret, për shembull, me financat, politikën e jashtme, shëndetësinë, çështjet sociale apo sigurinë, përfshirë sigurinë në trafik.
Për këtë qëllim, deputeti zhvillon edhe takime me ekspertë dhe përfaqësues institucionesh, për të mbledhur informacionin që i duhet për vendimmarrje. Kontrollon qeverinë dhe administratën. Shqyrton si zbatohen vendimet, si përdoren fondet dhe ku ka mangësi. Mbikëqyr edhe ligjshmërinë, përshtatshmërinë dhe efektivitetin e veprimtarisë shtetërore. Shqyrton buxhetin dhe llogaritë publike. Për këto punë qytetarët e dërgojnë deputetin në parlament.
Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për hajgarexhinj që sillen në parlament më shumë si aktivistë apo aktiviste fetare dhe, në mënyrë teatrale, ndërpresin fjalimet sepse diku jashtë dikush po “thërret ezanin”. Ky nuk është gjest respekti ndaj fesë, por fetarizim i jetës parlamentare. Deputeti zgjidhet për të përfaqësuar interesat e qytetarëve. Kosova nuk është shtet fetar. Deputetët u përkasin feve të ndryshme. Si e praktikojnë ata fenë jashtë institucioneve, është çështje e tyre private. Nëse ndërpritet debati parlamentar për thirrjet fetare të një feje, atëherë këtë shembull mund ta ndjekin edhe deputetë të tjerë kur bien kambanat e kishës katolike, ortodokse apo evangjeliste. Kryeni punën si deputetë, sepse për këtë jeni në parlament. Jo për poza populliste. Qe, pra, merruni me rastin e krimit në një rrugë në Ferizaj.