
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar Qeverinë për vonesën në procedimin e projektbuxhetit për vitin 2027, duke thënë se mosrespektimi i afateve ligjore është shndërruar në praktikë të zakonshme të saj.
Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, Musliu ka thënë se para diskutimit për shifrat e buxhetit, duhet të trajtohet problemi i shkeljes së ligjit nga ana e Qeverisë.
“Para se të flasim për shifrat, duhet të flasim për një problem që kjo qeveri tashmë e ka kryer në praktikë të zakonshme, mosrespektimin e ligjit. Edhe buxheti për vitin 2027 është sjellë në Kuvend jashtë afateve të përcaktuara ligjore.
Kur shkelja e ligjit përsëritet, ajo nuk është më rastësi, por mënyrë e qeverisjes”, ka deklaruar Musliu.
Ajo i është drejtuar edhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se madhësia e buxhetit nuk duhet të paraqitet si sukses në vetvete, nëse shpenzimi i tij nuk sjell zhvillim ekonomik për vendin, transmeton Klankosova.tv.
“Kryeministër, u lavdëruat se keni sjellë buxhetin më të madh në historinë e Kosovës, por madhësia e buxhetit nuk është sukses në vetvete. Jo sa para keni planifikuar të shpenzoni, por çfarë do të mbetet për Kosovën pas shpenzimit të këtij buxheti”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Musliu ka vlerësuar se projektbuxheti parasheh rritje të kapacitetit shpenzues të shtetit, por jo edhe të kapacitetit zhvillimor të ekonomisë.
“Sepse kur e analizojmë këtë buxhet, shohim një buxhet që rrit kapacitetin shpenzues të shtetit, por jo edhe kapacitetin zhvillimor të ekonomisë”, ka theksuar ajo në Kuvend./Klankosova.tv