Komuniteti shqiptar në Austri ka festuar Ditën e Flamurit në një atmosferë festive në Halle B, ku u mblodhën shumë bashkatdhetarë për të shënuar festën kombëtare shqiptare.
Sipas mediumit austriak Austria.com, festa u karakterizua nga muzika shqiptare, vallet dhe ushqimet tradicionale, ndërsa pjesëmarrësit shprehën edhe një herë lidhjen e tyre me traditat dhe kulturën shqiptare, pavarësisht se jetojnë larg atdheut.
Organizimi i këtij aktiviteti u bë nga shoqata shqiptare „17 Shkurti“, e cila mblodhi bashkë bashkatdhetarë të shumtë për të festuar Ditën e Flamurit, transmeton Telegrafi.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe nënkryetari i qytetit, Markus Riedmayer, i cili përgëzoi shoqatën për organizimin e aktivitetit.
Në festë morën pjesë gjithashtu eurodeputeti Lukas Mandl dhe përfaqësues të tjerë lokalë.
Ngjarja dëshmoi edhe një herë rëndësinë e organizimeve kulturore të diasporës shqiptare në Austri, të cilat shërbejnë për ruajtjen e identitetit kombëtar, traditave dhe lidhjeve mes bashkatdhetarëve./Telegrafi/